Nga 61 bashki në 46, Mazniku shpjegon si do të zhvillohet procesi pas zgjedhjeve

Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin për reformën territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Socialisti Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Reformës Territoriale në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Vizion Plus nën moderimin e Aleksandër Furxhi, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se propozimi i saj për 100 bashki nuk është marrë në konsideratë.
Mazniku tha se një numër më i madh bashkish do të sillte, sipas tij, një decentralizim më të dobët, pasi njësitë më të vogla do të kishin më pak funksione, të ardhura dhe mundësi investimi.
Ai sqaroi gjithashtu se deri në zgjedhjet e ardhshme bashkitë do të vijojnë të funksionojnë me konfigurimin aktual, ndërsa pas zgjedhjeve, kryetarët dhe këshillat e rinj do të jenë ata që do të nisin procesin e amalgamimit të 61 bashkive në 46.
INTERVISTA E PLOTË:
E dimë që ditët e fundit opozita paraqiti një projekt tjetër për ta ndarë territorin në 100 bashki. Përse u bë e pamundur marrja në konsideratë e këtij versioni?
Mazniku: Së pari, sepse ai është paraqitur në Kuvend vetëm para pak ditësh dhe jo në një periudhë të arsyeshme që mund të kishte qenë para disa muajsh, ku të dy do të mund të ishin parë krah për krah. Nga ana tjetër, çfarë nuk thuhet në fakt në atë propozim dhe në propozime të tjera, gjë që në fakt ekspertët si ata të komisionit, po ashtu edhe partnerët tanë ndërkombëtarë në raportet e tyre të punës gjatë kohës kur komisioni ishte akoma në punë e kanë thënë në mënyrë shumë të qartë, ka një skenar në të cilin do të kishte më pak bashki. Por ai skenar do të kërkonte që këto bashki të kishin më pak funksione. Nga 36 funksione që bashkitë kanë sot, një skenar me bashki më të vogla do të thoshte që këto bashki duhet të bënin vetëm 10, 11 apo 12 funksione maksimalisht, që janë ato që quhen funksione bazike. Dhe nëse ka një reformë e cila është plotësisht centralizuese dhe e kthen pushtetin nga një pushtet vendor në fuqi të mirëfilltë të qytetarëve, të buxheteve vendore e të vetëqeverisjes nga qytetarët e atij territori, në një reformë centralizuese, është një reformë e cila i bën bashkitë më të vogla. Pasi bashki më të vogla është e barabartë me bashki më të dobëta. Bashki më të dobëta do të thotë më pak fuqi, më pak të ardhura, më pak shpenzime, më pak investime, më pak funksione; dhe për rrjedhojë, funksionet e tjera që bashkitë s’do t’i bënin dot, do të duhet t’i bënte dikush tjetër, e për rrjedhojë do të duhet t’i bënte qeveria në qendër. Që do të thotë në fakt se një reformë me më shumë bashki është një reformë centralizuese dhe që e prek në mënyrë të ndjeshme fuqinë e decentralizimit apo të fuqisë afër njerëzve.
Opozita e dimë që nuk pajtohet absolutisht me arsyetimet tuaja. Por ky komision i reformës territoriale, të cilin ju e bashkëdrejtoni me Luçano Boçin, është krijuar në muajin shtator. Ka filluar puna gjatë gjithë këtyre muajve, sot jemi 6muaj pas fillimit të punës. Nuk vlejti asgjë nga vërejtjet, propozimet, opsionet e tyre? Nuk vlejti asgjë ky komision?
Mazniku: Jo, s’është kështu. Komisioni së pari u krijua në muajin shtator, tetor të vitit që shkoi me një afat nëntëmujor. Afati i tij mbaronte ekzaktësisht në fund të korrikut. Ne kërkuam në mënyrë të rregullt që të kishim mundësi që me opozitën të flisnim bashkërisht dhe të gjenim zgjidhje të përbashkëta. Mjafton t’ju thosha një numër, që mbledhja e parë e komisionit në të cilën është diskutuar axhenda ishte 120 pas krijimit të tij, nga 275 pune që kishte komisioni në tërësinë e tij. Pra pjesa më e madhe e kohës së komisionit u harxhua duke mos ardhur opozita fare në komision, duke ngrënë një pjesë të madhe të punës që mund të ishte bërë në mënyrë teknike për të pasur më shumë zgjidhje. Por një pjesë e madhe e propozimeve që sot janë projektligj janë në fakt produkt i diskutimit jo me opozitën aq sa, me thënë të vërtetën, me qytetarët në dëgjesat që ne kryejmë. Koncepti i qyteteve si një mekanizëm i ndërmjetëm midis bashkisë dhe njësisë administrative është një element i cili ruan identitetin e atij territori. Pra, për ta marrë si shembull, bashkia e re e Elbasanit që krijohet me bashkinë Elbasan, ish-bashkinë Cërrik edhe bashkinë e Belshit, do të ruhen në formën e qytetit të Belshit dhe qytetit të Cërrikut, që do të ruajnë përfaqësim proporcional në Këshillin Bashkiak të bashkisë së madhe në përputhje me numrin e popullsisë. Ruajnë një nënkryetar të posaçëm, ruajnë festën e qytetit, emrin e qytetit, skuadrat e futbollit kur i kanë, të gjithë elementët e tjerë, logon, stemën, flamurin, elementë të tjerë identitarë, duke ruajtur një element që e kuptuam gjatë dëgjesave që ishte shumë i rëndësishëm për njerëzit, që është ruajtja e këtij identiteti të këtij territori si pjesë përbërëse e një bashkie më të madhe. Dhe në këtë mënyrë arritëm të gjejmë një zgjidhje që ofron më të mirën e dy botëve, nga njëra anë kemi rritjen e efiçencës funksionale të bashkisë duke pasur një aparat, një buxhet, një strukturë që bën planet e zhvillimit urban, planet e zhvillimit ekonomik, projektet për Bashkimin Evropian, por ruajmë edhe përfaqësimin afër njerëzve, gjë që njerëzit e kërkuan në mënyrë systematike gjatë gjithë dëgjesave dhe që ne e dëgjuam.
Kjo çështje mbyllet në datën 8 tetor do të votohet. Votat e shumicës janë të mjaftueshme që kjo reformë të kalojë. Atëherë konkretisht çfarë do të ndodhë deri në zgjedhje? 61 bashki do të kemi 46. Si do të kryhet procesi qoftë i organizimit, qoftë i zgjedhjeve?
Mazniku: Draftligji i cili u miratua sot në Komisionin e Ligjeve, përveç një risie që besoj se vlen të ndahet me njerëzit, në qoftë se draftligji i propozuar nga propozuesit kishte 46 bashki 71 qytete, sot u miratua nga komisioni një version ku janë shtuar disa qytete si lloj i kërkesës së këshillave bashkiakë që kishin sjellë kërkesa për një shtesë të konceptit të qytetit brenda administrimit të tyre.
Cilat qytete?
Mazniku: Është qyteti i Bajzës, Kastratit, një qytet në bashkinë e Matit që është Ulza, një qytet, Miloti në Lezhë, Golemi në Kavajë. Janë këto që më kujtohen tani, po janë gjashtë praktikisht që erdhën si rrjedhojë e dëgjesave dhe opinioneve që njerëzit e këshillat bashkiakë, me thënë të vërtetën, sollën formalisht pranë komisionit, dhe sot Komisioni i Ligjeve miratoi këtë ndryshim. Ligji gjithashtu parashikon që deri në zgjedhjet e ardhshme vazhdon konfigurimi i bashkive siç është tani, dhe vetëm pas krijimit të këshillave të reja bashkiake dhe kryetarëve të rinj të bashkive fillon procesi i amalgamimit, që do të thotë bashkitë do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht me këto struktura që kanë, me këto këshilla bashkiakë, me këtë kryetarë, deri në konstituimin e strukturave të reja të zgjedhura pas zgjedhjeve të ardhshme.
Domethënë do të votohet për 61 bashki përsëri?
Mazniku: Jo, do të votohet për 46 bashki. Do të votohet për 46 bashki, për 46 këshilla bashkiakë, dhe vetëm pasi këto struktura, kryetarët të bëjnë betimet dhe të formohet këshilli bashkiak, atëherë do të fillojë bashkimi administrativ i bashkive.
/vizionplus.tv




