Fashion

‘Skinny jeans’ po provojnë rikthimin e tyre/ Modeli që menduam se kishte ikur po shfaqet përsëri!

Për disa vite, skinny jeans dukej sikur kishte humbur përfundimisht betejën përballë modeleve wide-leg, straight dhe baggy. Por moda është ciklike dhe këtë vjeshtë modeli i ngushtë po shfaqet përsëri mes tendencave që po rikthehen në garderobë.

InStyle i rendit skinny jeans mes pesë trendeve që deri pak kohë më parë konsideroheshin të dala mode, por që po marrin një jetë të re në vjeshtën 2026. Krahas tyre po rikthehen edhe xhaketat me frymëzim ushtarak, motivi klasik plaid, loafers të hapura pas dhe slip dresses.

Megjithatë, skinny jeans e vitit 2026 nuk po vishet domosdoshmërisht si në vitet 2010. Në vend të bluzave shumë të ngushta dhe kombinimeve të asaj periudhe, modeli po balancohet me pjesë më moderne dhe voluminoze. Një blazer oversized, një pulovër e gjerë, një pallto e gjatë apo çizme elegante mund ta bëjnë siluetën të duket krejt ndryshe.

Rikthimi është interesant edhe sepse vjen në një moment kur nuk ekziston më vetëm një model dominues i xhinseve. Wide-leg dhe baggy vazhdojnë të jenë të pranishme, ndërsa skinny po rikthehet si një alternativë tjetër. Madje, në të njëjtën kohë po shohim edhe barrel-leg, high-waisted dhe modele të tjera shumë të ndryshme mes tyre. Pra, nuk është e nevojshme të zëvendësojmë një model me një tjetër. Mesazhi i sezonit duket më shumë si një rikthim i lirisë për të zgjedhur siluetën që na pëlqen.