Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:20, në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, ku një grua ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Pazari”, në segmentin Pajovë–Bishqem, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Si pasojë e përplasjes, dy drejtuesit e mjeteve kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë, një grua që udhëtonte si pasagjere në njërin prej automjeteve ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.
Viktima është identifikuar si Drita Xhaja, rreth 70 vjeçe.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e përplasjes.


