Projektligji për Reformën Territoriale duket se ka sjellë një përçarje brenda Partisë Socialiste dhe mazhorancës qeverisëse. Teksa pritet të votohet këtë të enjte drafti i propozuar nga PS që shkrin 15 bashki në vend, deputetët socialistë Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe kanë dalë kundër këtij propozimi.
I pyetur nga gazetarët sot në Kuvend, kreu i gurpit parlamentar Taulant Balla tha se ata, nëse votojnë kundër pr.ligjit të mazhorancës do marrin vendimin politik të PS.
Ndaj kësaj ka reaguar ashpër deputeti Erion Braçe në një studio televizive, ku ia ktheu reston Ballës “ça do më tregosh”? Për Braçen nuk duket fare serioze mënyra si po veprohet teksa sot në mbledhjen e grupit të PS mungonte kryeministri dhe një pjesë e mirë e deputetëve për diskutimin e kësaj reforme.
“Unë kisha një pyetje dhe e bëra në grup. Dhe me thënë të drejtën aty mungonte kryeministri, mungonte dhe ministri po mungonte dhe 1/3 e deputetëve sot në mbledhje për reformën më të rëndësishme të 4 viteve.
A kam të drejtë ta vë në diskutim seriozitetin në këtë rast, të kësaj partie, të kësaj mazhorance, të atij drejtuesi?! E kam dëgjuar shpesh atë muhabetin që le të votojë ai se e shikon. Ça të shikoj, ça do më tregojnë këta. Turp i madh, kjo nuk është kulturë demokratike. I gjithë ky proces ka nevojë për qetësi, jo për hakërrime. Shikoni te rregullorja ça do pësojnë këta. Kjo është banale.
Problemi është të bëjmë një gjë që i mbetet këtij vendi dhe përmirëson qeverisjen”, ka thënë Braçe sot pasdite.
Ndërsa më herët, kreu i grupit të PS, Balla shpjegoi nevojën e reformës sipas tij për qytetarët dhe dha paralajmërimin për Sinajn dhe Braçen.
Gazetarja: Keni folë me deputetët e PS, mes tyre ka nga ata që kanë rezerva për hartën e re?
Taulant Balla: Jo, jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka ras… raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Javën e ardhshme kemi një moment tjetër le të themi kulminant të suksesit që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare, ku kalojmë, mbyllim një kapitull tjetër dhe besoj që ky është ai momenti i ndërgjegjësimit të natyrës politike për të kuptuar që duhet të ecim përpara në drejtimin që kemi.
Gazetarja: Keni frikë se po përmendni vendim politik e dini se çfarë ndodh po dolën kundër vendimit politik, apo i kërcënoni ju dy deputetët apo një deputet për përjashtim nëse nuk votojnë?
Taulant Balla: E para, e para janë dy deputetët ndër më të mirët që ka grupi parlamentar.













