
Deputeti socialist Erion Braçe ka dalë kundër reformës së re territoriale, duke zbuluar se nisma është diskutuar për herë të parë në grupin parlamentar të Partisë Socialiste vetëm tre ditë para se të votohet në Kuvend.
Braçe tha se pavarësisht mbledhjeve të zhvilluara më herët nga grupi parlamentar, deputetët nuk ishin informuar për përmbajtjen e reformës.
“Mbledhja e parë e grupit parlamentar dhe është shumë vonë, 3 ditë para se të votohet. Hera e parë që bëhet një diskutim me grupin e PS. Jemi mbledhur disa herë dhe s’kemi marrë asnjë rresht informacion për këtë reformë”, deklaroi Braçe.
Sipas tij, mënyra se si është organizuar procesi nuk i përgjigjet rëndësisë së reformës territoriale, të cilën e konsideron një prej reformave kryesore të mandatit.
“S’mundet të trajtohet në formë të tillë reforma më e rëndësishme e mandatit. S’mundet që 3 ditë para se të votohet në parlament, të ngrihet grupi parlamentar dhe ta diskutojë dhe në mbledhje të flasin vetëm 4 njerëz”, u shpreh ai.
Deputeti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi kriteret e përdorura për përcaktimin e kufijve të bashkive, duke marrë si shembull Roskovecin.
“Mbi ç’parim të kësaj reforme qëndron bashkia e Roskovecit në kufijtë që ka pasur? Unë kuptova që s’qenka përfundimtare, pas disa vitesh do të hyjmë po prapë”, deklaroi ai.
I pyetur për deklaratën e Taulant Ballës se deputetët që nuk e mbështesin reformën duhet t’i referohen rregullores, Braçe tha se "nuk e përjashtojnë dot ata që e gjetën në PS.
“Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra dhe më tregojnë mua rregulloren!”, tha Braçe.
Ai argumentoi gjithashtu se reforma territoriale duhet të shoqërohet me një rishikim të kompetencave dhe financimit të pushtetit vendor.
Reforma territoriale kërkon të paktën 84 vota për t’u miratuar në Kuvend. Pas largimit nga grupi i Marjana Koçekut, Partia Socialiste numëron 82 deputetë, ndërsa pritet që nismës t’i bashkohen edhe tre deputetët e partisë së Tom Doshit.
Në këto kushte, votat e Erion Braçes dhe deputetit tjetër socialist Vullnet Sinaj, i cili gjithashtu ka kundërshtuar reformën, mund të jenë të rëndësishme për miratimin e saj./Versus.al

