AKTUALITET /

Hetimet/ Ndryshimi i kartave të ID të personave me probleme me drejtësinë në Gjendjen Civile, u krye nga kompjuterët e AKSHI-t

Gjatë hetimeve janë evidentuar rreth 60 ndërhyrje në sistem, përmes të cilave dyshohet se janë ndryshuar identitetet e personave të ndryshëm në Shqipëri.

Shkruar nga Versus

Hetimet/ Ndryshimi i kartave të ID të personave me probleme me

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës për ndryshimin e identiteteve në sistemin e Gjendjes Civile të personave me probleme me drejtësinë ka çuar në verifikimin e përdorimit të kompjuterëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjatë hetimeve janë evidentuar rreth 60 ndërhyrje në sistem, përmes të cilave dyshohet se janë ndryshuar identitetet e personave të ndryshëm në Shqipëri.

Në disa prej rasteve, domenet hyrëse të përdorura për ndërhyrjet në sistem rezultojnë se kanë qenë të lidhura me zyrat e AKSHI-t në Tiranë.

Për këtë çështje, anëtarë të grupit hetimor të Prokurorisë së Tiranës kanë zhvilluar javën e kaluar një takim me drejtorin e AKSHI-t, Igli Tafa. Sipas raportimeve, qëllimi ka qenë ngritja e një grupi bashkëpunimi për lokalizimin e kompjuterëve nga të cilët janë kryer hyrjet në sistem dhe identifikimin e zyrtarëve që kanë pasur akses.

Një element i rëndësishëm i hetimit lidhet me përdorimin e një profili në Gjendjen Civile me emrin “Pandeli Shirokaj”. Bëhet fjalë për një ish-punonjës të Gjendjes Civile, i cili, sipas dosjes, kishte dalë në pension më 16 qershor 2023.

Megjithatë, profili i tij dyshohet se është përdorur edhe pas daljes në pension për të kryer ndërhyrje në sistem. Sipas dosjes hetimore, përmes këtij profili janë kryer rreth 60 ndryshime identitetesh, ndërsa tashmë hetuesit po përpiqen të zbulojnë se kush qëndronte pas përdorimit të tij.

Në kuadër të të njëjtit hetim, në mesin e shtatorit 2026 janë pezulluar nga detyra Aurel Kotorri, specialist IT në Ministrinë e Brendshme, dhe Orjola Omi, e punësuar pranë Njësisë Administrative nr. 3 në Tiranë.

Pezullimi i tyre është vendosur nga Gjykata e Tiranës, pasi Prokuroria dyshon për përfshirjen e tyre në një skemë të falsifikimit të të dhënave të Gjendjes Civile.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest në burg” për Indrit Aliun, i njohur edhe me aliaset Indrit Kolleshi dhe David Isaac, i cili është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, Aliu dyshohet se ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin në “David Isaac” në Zyrën e Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë.

Ndryshimi i të dhënave është konstatuar më 27 nëntor 2025 nga Njësia Administrative nr. 5 në Tiranë, ku ai rezultonte banor, gjatë kontrollit të procedurës për riaplikimin për pasaportë biometrike.

Sipas dosjes, përdorimi i identiteteve të ndryshuara dyshohet se është shoqëruar edhe me dokumente të falsifikuara, përfshirë dokumente të paraqitura si të lëshuara nga shteti i Izraelit. Prokuroria dyshon se këto dokumente janë përdorur për sigurimin e dokumenteve të tjera të identitetit, përfshirë karta identiteti dhe pasaporta biometrike, me qëllim lëvizjen jashtë territorit shqiptar me gjeneralitete të rreme.

Hetimi tashmë është përqendruar edhe te mënyra se si është siguruar aksesi në sistemin e Gjendjes Civile përmes infrastrukturës së AKSHI-t dhe identifikimi i personave që kanë përdorur kompjuterët nga ku janë kryer ndërhyrjet.

Prokuroria dhe strukturat drejtuese të AKSHI-t po vijojnë verifikimet për të përcaktuar se cilët përdorues kanë pasur akses në sistem dhe nëse ndërhyrjet janë kryer nga zyrtarë të autorizuar apo përmes keqpërdorimit të kredencialeve të personave të tjerë./ Syri.net

Poll