Presidenti amerikan Donald Trump ka mbledhur të premten në Camp David këshilltarët e tij kryesorë të sigurisë kombëtare, në një takim të pazakontë që zgjati disa orë dhe u përqendrua te hapat e ardhshëm të SHBA-ve në lidhje me konfliktin me Iranin, si dhe situatën mes Arabisë Saudite dhe Houthive në Jemen.
Takimi nuk ishte njoftuar paraprakisht nga administrata amerikane. Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, një takim i ngjashëm ishte zhvilluar në Camp David edhe në qershor 2025, pak ditë përpara nisjes së luftës së Izraelit kundër Iranit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi zhvillimin e takimit, duke deklaruar se administrata zhvillon në mënyrë periodike diskutime për planifikimin strategjik afatgjatë. Sipas tij, Camp David u zgjodh si një ambient me më pak shpërqendrime për zhvillimin e këtyre diskutimeve.
Takimi u drejtua nga zv.presidenti JD Vance. Në të morën pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff, drejtori i CIA-s John Ratcliffe, kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, si dhe Sekretari i Thesarit Scott Bessent.
Një zyrtar amerikan tha se gjatë takimit “gjërat u vendosën ose të paktën u diskutuan thellësisht”, duke iu referuar krizës në Lindjen e Mesme. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e diskutimeve.
Trump përballet me vendime të rëndësishme
Takimi zhvillohet në një moment kur negociatat me Iranin kanë ngecur dhe Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve të mëdha ushtarake ndaj Teheranit.
“Tani duhet të marr një vendim: ose Irani nënshkruan marrëveshjen, ose nuk do të ekzistojë më”, deklaroi Trump të enjten, sipas Axios.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan po përballet me kërkesa nga Arabia Saudite për të mbështetur një ofensivë të planifikuar kundër Houthive në Jemen. Riadi po kërkon që SHBA-të të kryejnë sulme ajrore ndaj pozicioneve të grupit të armatosur, ndërsa Trump deri tani ka qenë i rezervuar për një përfshirje të drejtpërdrejtë amerikane.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë thonë se qëndrimi i presidentit mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve në terren dhe situatës në rajon.
Ndërsa këshilltarët e tij ndodheshin në Camp David, Trump u pyet të premten nga gazetarët se cili do të ishte hapi i tij i ardhshëm lidhur me Iranin.
“Nëse do t’ju tregoja, do të kishit një lajm të madh. Por do ta shihni. Gjërat po shkojnë shumë mirë. Irani nuk po ia del mirë”, u përgjigj presidenti amerikan.


