Tensionet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës kanë vijuar gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, ndërsa në disa zona është përdorur gaz lotsjellës dhe sprej djegës.
Gjatë një tjetër përplasjeje mes palëve, situata është përshkallëzuar në zonën pranë Kuvendit, ndërsa Policia ka shoqëruar një person. Sipas raportimeve, gjatë ndërhyrjes së efektivëve ka pasur edhe rezistencë nga protestuesit.
Përplasjet janë shënuar në disa pjesë të sheshit “Skënderbeu” dhe në rrugët përreth në qendër të Prishtinës. Pas përshkallëzimit të situatës gjatë mbrëmjes, protestuesit janë shpërndarë në disa zona, ndërsa përballjet me Policinë kanë vijuar.
Policia ka përdorur në disa raste gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmat dhe për të larguar protestuesit nga zona e protestës.
Më herët, protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Policisë.
Pavarësisht ndërhyrjeve të forcave të rendit, një pjesë e protestuesve kanë vijuar të qëndrojnë në zonën e sheshit “Skënderbeu”, ku prej 16 shtatorit po zhvillohen protesta të përnatshme lidhur me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale.
Situata mbetet e tensionuar në disa pjesë të qendrës së Prishtinës, ndërsa vijon prania e forcave të Policisë në zonën e protestës.


