Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një konflikt me avokatin Thoma Marina, të cilin thotë se e kishte angazhuar për ta mbrojtur në një çështje penale që po gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës.
Sipas Igli Dushkut, ai i ka paguar avokatit rreth 3000 euro për ndjekjen e çështjes, ndërsa pretendon se pagesat janë kryer pa marrë faturë apo dokumentacion përkatës.
Në videon e dërguar në redaksi, Dushku tregon se avokati ka marrë pjesë në disa seanca gjyqësore, por më pas ka paraqitur në gjykatë një deklaratë për heqjen dorë nga përfaqësimi i tij.
“Ndërkohë i kam paguar unë këto lekët. Mbas disa muajsh, që erdhi 3-4 herë në seanca gjyqësore, na kërkoi edhe nga 1000 euro për secilin që të ndiqte çështjen”, shprehet ai.
Sipas denoncuesit, pasi ka mbetur pa përfaqësim ligjor, i ka kërkuar avokatit kthimin e parave, por pretendon se përgjigjja ka qenë negative.
“Po, më kthe lekët.” ‘Jo, nuk të kthej asnjë lek’”, tregon Dushku në dëshminë e tij.
Ai thotë se ka pritur rreth tetë muaj për kthimin e shumës dhe se, pasi kërkesa e tij nuk është pranuar, ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë Durrës.
Dushku pretendon gjithashtu se disponon regjistrime audio dhe video që, sipas tij, lidhen me pagesat dhe komunikimet me avokatin.
Qytetari ka kërkuar që të dalë publikisht me identitetin e tij dhe apelon për kthimin e shumës së paguar. Ai kërkon gjithashtu që rasti të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe dëshminë e qytetarit, ndërsa mbetet e hapur për reagimin dhe sqarimin e avokatit Thoma Marina lidhur me pretendimet e ngritura.