Një grup të rinjsh që po festonin në një apartament në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë kanë shqetësuar banorët gjatë orëve të natës, për shkak të zhurmës së lartë.
Sipas denoncueses, të rinjtë po këndonin me zë të lartë pas mesnate, ndërsa banorët kërkonin që të ndërgjegjësoheshin për faktin se ishte orar pushimi.
“Një grup të rinjsh duke festuar në këtë orë të natës. A do ndërgjegjësohemi që në këtë orë të natës komuniteti ka nevojë të pushojë?”, shkruan ajo.
Sipas saj, të rinjtë ndodheshin në katin e fundit të një pallati dhe, edhe pas mbërritjes së policisë, nuk e hapën derën dhe vijuan festën.
Në pamjet e dërguara në redaksi dëgjohen të rinjtë duke kënduar edhe këngën “Profesori” të Antres, një prej këngëve të njohura shqiptare të viteve 2000.
Denoncuesja ngre shqetësimin për zhurmat e krijuara në orët e vona të natës dhe kërkon respektimin e qetësisë së banorëve të zonës.