
Një punonjëse 28-vjeçare e Institutit Kërkimor Anti-Murtajë të Irkutskut, në Siberi, ka vdekur pasi u diagnostikua me pneumoni me origjinë të panjohur, duke shkaktuar masa karantine dhe monitorimi në rajon. 28-vjeçarja, e identifikuar nga mediat lokale si Darya Shipilova, punonte si teknike laboratori në institutin që merret me studimin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive, përfshirë murtajën.
Autoriteti rus për mbrojtjen e shëndetit publik, Rospotrebnadzor, tha se në mostrat e pacientes nuk u gjetën mikroorganizma që lidhen me aktivitetin e saj profesional dhe theksoi se situata epidemiologjike në rajon mbetet e qëndrueshme. Megjithatë, drejtuesja e agjencisë, Anna Popova, udhëtoi drejt Irkutskut për një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me një rast të dyshuar të një infeksioni veçanërisht të rrezikshëm.
Spitali ku u trajtua 28-vjeçarja është vendosur në karantinë, ndërsa disa reparte kanë pezulluar pranimin dhe daljen e pacientëve. Raportet jozyrtare flasin për rreth 200 persona nën vëzhgim. Disa prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 ose rhinovirus, ndërsa deri tani nuk është konfirmuar murtaja pneumonike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se po verifikon informacionet me autoritetet ruse dhe vlerësoi se, bazuar në të dhënat jozyrtare, rreziku për popullatën e përgjithshme duket i ulët.
Murtaja pneumonike shkaktohet nga bakteria Yersinia pestis dhe ndonëse mund të jetë vdekjeprurëse, trajtohet me antibiotikë nëse zbulohet dhe trajtohet në kohë.
Disa persona që kishin pasur kontakt me studiuesen janë diagnostikuar me Covid-19 dhe rinovirus, shkaku më i shpeshtë i ftohjes së zakonshme, tha Rospotrebnadzor, raportoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Në komentin e vetëm mbi incidentin, Kremlini tha se njerëzit duhet t'u besojnë vetëm përditësimeve që vijnë nga agjencia zyrtare.
“Duhet të mbështetemi te deklaratat zyrtare nga Rospotrebnadzor në vend që të dëgjojmë thashetheme dhe spekulime të ndryshme”, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
(A2 Televizion)