Kosova në “udhëkryq”! Protesta dhe afati për presidentin përplasen në një ditë vendimtare

Kosova përballet sot me një ditë vendimtare, teksa protestuesit rikthehen në orën 09:00 para Kuvendit për të kërkuar votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Protesta e së hënës u shoqërua me tensione dhe përplasje me Policinë e Kosovës, ndërsa pas disa orësh situata u qetësua dhe protestuesit u shpërndanë pak para mesnatës, duke paralajmëruar rikthimin e tyre.
Përplasjet nisën pasi ndryshimet për Specialen, të cilat kishin kaluar në parim me 91 vota, nuk u hodhën në votimin e dytë. Protestuesit kërkuan që deputetët të qëndronin në Kuvend deri në përfundimin e procesit, ndërsa gjatë mbrëmjes pati hedhje të mjeteve piroteknike dhe shisheve në drejtim të Policisë dhe institucioneve. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, sprej dhe topa uji për shpërndarjen e turmës.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës u shoqëruan tre persona, ndërsa gjashtë zyrtarë policorë pësuan lëndime dhe 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore. Policia deklaroi se ndërhyrja u bë ndaj personave që shfaqën dhunë dhe theksoi se protestat e qeta dhe demokratike nuk janë penguar. Në mesin e të shoqëruarve raportohet edhe djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në të njëjtën kohë, sot skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Për këtë çështje, Vetëvendosje dhe PDK-ja kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me rendin e votimeve. LVV ka kërkuar që fillimisht të zgjidhet presidenti dhe më pas të votohet për Specialen, ndërsa PDK-ja kërkon të votohet fillimisht ligji. Takimi mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës përfundoi pa marrëveshje, ndërsa LVV ka deklaruar se është e gatshme që të dy votimet të zhvillohen sot në dy seanca.
Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda afatit, Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh. Ndërkohë, mijëra protestues pritet të rikthehen sot para Kuvendit, duke kërkuar miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
/vizionplus.tv




