Rajoni

Pas përplasjeve me policinë, protestuesit pritet të mblidhen sërish në Prishtinë!

Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së djeshme në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, nismë e PDK-së.

Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe pompa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe e mjete piroteknike.

Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë rreth mesnate.

Kuvendi miratoi në parim ndryshimet në Ligjin për Specialen, që ndër të tjera parashikojnë dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Por, votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje, çka solli dhe përplasjet.

PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja, që fillimisht të zgjidhet kreu i shtetit, pasi sot është afati i fundit. Në rast dështimi, Kosova shkon sërish në zgjedhje. Protestuesit pritet të mblidhen sërish në mëngjes.