Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, shpalli zgjedhje të parakohshme për më 29 nëntor, pasi parlamenti rrëzoi masat e qeverisë që synonin të zbusnin pakënaqësinë dhe protestat masive për krizën e strehimit.
Sánchez është përplasur këtë vit edhe me presidentin amerikan Donald Trump, pasi u shndërrua në një nga kritikët më të zëshëm europianë të politikës së SHBA-ve në Lindjen e Mesme.
Trump e ka akuzuar Spanjën se nuk po përmbush detyrimet për shpenzimet e NATO-s dhe ka kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare e diplomatike. Sánchez, gjithashtu kritik i luftës së Izraelit në Gaza, ka vijuar kritikat ndaj Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, politika e jashtme nuk është çështja kryesore e debatit në Spanjë këtë muaj.
Pakënaqësia publike po përqendrohet gjithnjë e më shumë te strehimi, pagat dhe kostoja e jetesës. Emigracioni është kthyer po ashtu në çështje të nxehtë politike, pasi mijëra emigrantë shkuan në enklavën spanjolle të Ceutës në korrik.
Ekonomia spanjolle është rimëkëmbur fuqishëm pas pandemisë dhe vazhdon të rritet më shpejt se mesatarja e Eurozonës. PBB-ja u zgjerua me 0.7% në tremujorin e dytë, turizmi po lulëzon, interesi i investitorëve mbetet i lartë dhe tregu i punës është i fortë.
Megjithatë, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë gjatë fundjavës, ndërsa pakënaqësia për rritjen e qirave dhe mungesën e banesave, veçanërisht në zonat turistike, është shtuar.
Protestat u intensifikuan pas dëbimit në shtator nga banesa të një gruaje 87-vjeçare me aftësi të kufizuara, e cila kishte jetuar aty prej 70 vitesh.
Një “mundësi” për Sánchez
Sánchez, drejtues i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës, është kryeministër që nga viti 2018.
Ai drejton aktualisht një koalicion të brishtë të majtë, të krijuar në nëntor 2023 dhe të varur nga disa parti të vogla rajonale. Ngërçi parlamentar e ka lënë vendin pa miratuar një buxhet të ri prej më shumë se tre vitesh.
Popullariteti i Sánchez-it është dëmtuar edhe nga hetimet për keqpërdorim të dyshuar fondesh nga Partia Socialiste dhe një hetim për korrupsion ndaj aleatit të tij, ish-kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero, i cili i mohon akuzat.
Në përpjekje për të adresuar krizën e strehimit, Sánchez kërkoi javën e kaluar miratimin e masave që përfshinin pezullimin deri në vitin 2030 të dëbimeve të qiramarrësve vulnerabël, rritjen e taksave për apartamentet turistike, zgjatjen me dy vjet të kontratave të qirasë që skadojnë para vitit 2028 dhe kufizimin e blerjeve të banesave nga fondet e investimeve.
Masat u rrëzuan nga parlamenti pas kundërshtimit të Partisë Popullore, Vox dhe partisë separatiste katalanase Junts.
Analistët vlerësojnë se Sánchez mund ta shohë krizën e strehimit si një mundësi për të mobilizuar votuesit e qendrës së majtë, megjithëse strategjia mbart rreziqe: pas më shumë se tetë vitesh në pushtet, vetë qeveria mund të fajësohet për moszgjidhjen e problemit.
Sondazhet e nxjerrin Partinë Popullore në krye, ndërsa PP dhe Vox mund të sigurojnë së bashku shumicën parlamentare. Eurasia Group vlerëson në 70% mundësinë që zgjedhjet të prodhojnë një shumicë të qendrës së djathtë.
Megjithatë, Sánchez ka arritur edhe më parë të përmbysë parashikimet, përfshirë në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2023.
Kina dhe NATO, çështje kyçe për qeverinë e re
Një qeveri e re e qendrës së djathtë mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme dhe ekonomike të Spanjës, veçanërisht për shpenzimet e NATO-s dhe marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.
Një tjetër pikëpyetje është nëse qeveria e re do të ndryshonte qëndrimin më të butë të Madridit ndaj Kinës brenda BE-së.
Spanja është ndër të paktat vende të BE-së që mbështet një qasje më të butë në marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Një ndryshim i këtij qëndrimi mund ta afrojë Madridin me Francën dhe Gjermaninë dhe të shtojë rrezikun e përplasjeve tregtare sektor pas sektori mes BE-së dhe Kinës. /Monitor