Rajoni

Kosovë/ Sot skadon afati për Presidentin, PDK kushtëzon votat me Ligjin për Specialen!

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa mungesa e konsensusit politik e ka lënë vendin përballë mundësisë së zgjedhjeve të reja. Në orët e mbrëmjes së djeshme, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza u takua me kryeministrin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Mësohet se si kusht për dhënien e 22 votave të saj, PDK vuri miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

PDK kërkon që fillimisht të përfundojë procedura për ndryshimin e këtij ligji dhe më pas të votohet për Presidentin. Sipas Rregullores së Kuvendit, ndërmjet dy votimeve të një projektligji duhet të kalojnë 72 orë, çka e komplikon përfundimin e procedurës brenda afatit kushtetues.

Pritet të thirret një seancë për shkak të skadencës së ushtruesit të detyrës së presidencës dhe më pas të zgjidhet një president i ri. PDK ka si kusht elementar 22 vota për votim, në mënyrë të kalkulohet dhe procedohet në Kuvend edhe me projektligjet e tjera në Kuvend, sikurse ai për Gjykatën Speciale. Nëse nuk do të kemi president sot, do të shkojmë në zgjedhje.

PDK-ja është e vendosur që 22 votat e saj të mos i japë në asnjë formë, nëse nuk kalon ky ligj.

Në Kuvend pritet të zhvillohen përpjekje për të gjetur një zgjidhje procedurale dhe politike, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të arrihet marrëveshje gjatë ditës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot, më 6 tetor. Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare. Sipas përcaktimit kushtetues, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.