Analisti politik Xhavit Drenori ka hedhur në diskutim një zgjidhje politike që, sipas tij, do të shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme, në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Të lidhura
None found
Propozimi i tij përfshin zgjedhjen e Glauk Konjufcës në postin e Presidentit, angazhimin e Qeverisë për ndryshime ligjore, emërimin e Andin Hotit në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe përfshirjen e Elisa Spiropalit si ministre e Jashtme.
Drenori ka kërkuar që palët politike të ulen në dialog dhe të arrijnë një marrëveshje, duke theksuar se vendi ka nevojë për stabilitet dhe institucione funksionale.
Sipas tij, sot përfundon afati për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe, nëse kjo nuk ndodh, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai ka vlerësuar se pasojat e secilës prej rrugëve që mund të ndiqen janë të mëdha dhe se nuk nevojitet naivitet për ta kuptuar seriozitetin e situatës.
Drenori ka deklaruar se asnjë subjekt politik nuk i bën shërbim “katërshes në Hagë” nëse vendi shkon në zgjedhje, veçanërisht PDK-ja.
Analisti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje nëse, në një klimë të polarizuar, me tensione të forta politike, protesta dhe përplasje që kanë kaluar edhe në dhunë e cenim të institucioneve, mund të garantohen kushte për një fushatë dhe zgjedhje të qeta, të lira e demokratike.
Formula e propozuar prej tij nis me zgjedhjen e Glauk Konjufcës President i Republikës së Kosovës.
Para këtij hapi, sipas Drenorit, Konjufca do të duhej të zhvillonte një takim me Hamzën, Abdixhikun dhe Haradinajn, ku të garantonte se detyrën do ta ushtronte në përputhje të plotë me Kushtetutën. Po ashtu, ai do të duhej të jepte publikisht garanci për angazhim maksimal në mbështetje të katërshes në Hagë, përfshirë lobimin te miqtë ndërkombëtarë.
Një tjetër pjesë e propozimit është zotimi i kryeministrit Kurti për angazhim maksimal në ndryshimet e nevojshme ligjore, përfshirë çdo nismë që synon rishikimin e mënyrës së funksionimit të Gjykatës Speciale, duke marrë parasysh edhe qëndrimet e tij të mëparshme publike për këtë çështje.
Drenori propozon gjithashtu që ministrja e Drejtësisë të zëvendësohet nga Andin Hoti, ndërsa Elisa Spiropali të angazhohet si ministre e Jashtme.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do ta orientonte energjinë politike drejt një objektivi të përbashkët për shumë aktorë të skenës politike në Kosovë, ndonëse deri tani janë përdorur rrugë dhe mjete të ndryshme për ta arritur atë.
Drenori ka theksuar se në këtë moment Kosovës mund t’i duhet më shumë një marrëveshje politike sesa një përplasje e re, në mënyrë që të sigurohen funksionimi i institucioneve, stabiliteti i vendit dhe një angazhim i përbashkët për interesat jetike të shtetit.
Ai e ka mbyllur mesazhin me thirrjen që kjo ditë të shërbejë për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje.
