Murtaja apo “pneumonia e panjohur”? Mister në Rusi pas vdekjes së studiueses 28-vjeçare

6 Tetor 2026, 08:50Bota TEMA
Murtaja apo “pneumonia e panjohur”? Mister në Rusi pas vdekjes

Vdekja e një laboranteje 28-vjeçare në Siberi ka shkaktuar shqetësim, pasi ajo punonte në Institutin e Kërkimeve Kundër Murtajës në Irkutsk dhe u shtrua në spital me pneumoni të rëndë.

Rreth 200 persona që mund të kenë pasur kontakt me të janë vendosur nën vëzhgim mjekësor, ndërsa autoritetet kanë marrë masa epidemiologjike në zonë.

Sipas raportimeve të mediave ruse, gruaja, e identifikuar si Daria Sipilova, ndërroi jetë në orët e para të 2 tetorit, pasi ishte shtruar në spitalin rajonal të Shelekhovit më 29 shtator me probleme të rënda pulmonare.

Fillimisht u raportua se ajo mund të ishte infektuar me murtajë pneumonike, madje disa media dhe kanale në Telegram pretenduan se gjatë punës në laborator i ishte thyer një epruvetë që përmbante bakterin Yersinia pestis, shkaktar i murtajës. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Rospotrebnadzor, autoriteti rus për mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik, deklaroi se diagnoza e Sipilovës ishte “pneumoni me etiologji të paspecifikuar”. Sipas autoriteteve, analizat nuk zbuluan në materialet biologjike të pacientes mikroorganizma të lidhur me aktivitetin e saj profesional dhe nuk u konstatuan incidente gjatë punës me patogjenë në institut.

Pavarësisht kësaj, rreth 200 persona janë vendosur nën mbikëqyrje mjekësore, ndërsa spitali në Shelekhov, ku gruaja ndërroi jetë, u përfshi në masat e karantinës. Autoritetet kanë deklaruar se situata epidemiologjike në rajon është e qëndrueshme dhe se deri tani nuk është konfirmuar ndonjë rast tjetër i murtajës.

Sipilova punonte në Institutin e Kërkimeve Kundër Murtajës në Siberi dhe Lindjen e Largët, një institucion i specializuar në studimin dhe monitorimin e sëmundjes.

Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ajo u shtrua në spital më 29 shtator dhe u intubua. Më 2 tetor ndërroi jetë.

Vdekja e saj shkaktoi një valë raportimesh për një incident të mundshëm laboratorik dhe infektim me murtajë pneumonike. Por autoritetet ruse i kanë mohuar këto versione, duke këmbëngulur se shkaku i vdekjes mbetet pneumoni me origjinë të papërcaktuar.

Ndërkohë, kreu i Rospotrebnadzor, Anna Popova, udhëtoi drejt Siberisë për një takim urgjent me autoritetet lokale dhe komisionin sanitaro-epidemiologjik.

Murtaja pneumonike është forma e murtajës që mund të transmetohet nga personi në person përmes pikave të frymëmarrjes. Megjithatë, deri tani nuk ka prova zyrtare se kjo ka ndodhur në rastin në Irkutsk.

Reuters raportoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë e vlerëson aktualisht rrezikun për shëndetin publik si të ulët, ndërsa autoritetet kanë gjurmuar personat që kanë pasur kontakt me laboranten.

Pikërisht mungesa e një konfirmimi zyrtar për murtajën, në një kohë kur rreth 200 persona janë nën vëzhgim, ka ushqyer spekulimet në mediat ruse dhe rrjetet sociale.

Për momentin, pyetja kryesore mbetet nëse do të konfirmohet ndonjë rast tjetër. Deri tani, autoritetet ruse thonë se nuk ka raste të reja të murtajës dhe se situata është nën kontroll.

Lini një Përgjigje