Kosova hyn sot në një ditë vendimtare, pasi protestuesit rikthehen në orën 09:00 para Kuvendit për të kërkuar miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në të njëjtën ditë skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri, duke e vendosur vendin përballë një tjetër ngërçi politik.
Protesta vjen pas përplasjeve të së hënës, kur ndryshimet për Specialen u miratuan në parim me 91 vota, por nuk arritën të kalojnë në lexim të dytë. Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës lanë 17 persona të lënduar që kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa u arrestuan tre persona. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u ka bërë thirrje qytetarëve të rikthehen sot në shesh dhe të kërkojnë votimin përfundimtar.
Ndërkohë, partitë politike vijojnë përplasjet për rendin e votimeve. Lëvizja Vetëvendosje kërkon fillimisht zgjedhjen e presidentit dhe më pas votimin për Specialen, ndërsa PDK kërkon të kundërtën. Takimi mes Albin Kurtit dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje, megjithëse LVV ka deklaruar se është e gatshme që të dyja votimet të zhvillohen sot në dy seanca. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh.