E martë, 6 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Si do të dukej tregu i punës në Gjermani pa emigrantët?

Si do të dukej tregu i punës në Gjermani nëse emigrantët do të largoheshin? Përgjigja është e thjeshtë: nëse s’do të ishin emigrantët një ndër katër vende pune do të mbetej bosh. Herbert Brücker, ekspert ekonomie, thotë: “Kjo do të ishte një katastrofë. 60% e rritjes ekonomike në dekadën e fundit mund t’u atribuohet emigrantëve.”

Punëtorët e huaj plotësojnë mungesat në sektorë me rëndësi jetike si transporti dhe mjekësia. Këto janë vendet e punës që Gjermania e ka të vështirë t’i plotësojë. “Në sektorët me rëndësi për sistemin shoqëror, pagat janë relativisht të ulëta, por këta sektorë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për ekonominë tonë.” – thotë Brücker.

Reklamë

Degët më në rrezik

Industria e hoteleri-turizmit do të goditej më rëndë nga të tjerat. Edhe sa i përket sektorit të logjistikës, pothuajse gjysma e shoferëve të transportit të mallrave në Gjermani kanë prejardhje migracioni. Ashtu siç ndodh me më shumë se gjysmën e vendeve të punësnë sektorin e ndërtimit.  Herbert Brücker thotë se “nëse nuk ka njerëz në logjistikë, asgjë nuk do të funksionojë.”

Në të gjithë Gjermaninë, 27% e të punësuarve kanë prejardhje migracioni, që do të thotë se ata vetë, ose të dy prindërit e tyre kanë emigruar në Gjermani pas vitit 1950. Pa ata një nga katër vende pune do të mbetej bosh. Dhe fuqia punëtore e Gjermanisë po tkurret. Sot në tregun gjerman të punës punojnë rreth 45,4 milionë vetë.

Nëse gjatë viteve të ardhshme s’do të vinin punëtorë të huaj, kjo shifër deri në vitin 2040 do të binte me 10%, në 41,9 milionë vetë.

Plakja e popullsisë dhe pensionet

Dhe në Gjermani pritet që një valë fuqie punëtore do të dalë në pension. Sipas përllogaritjeve deri në vitin 2040, do të arrijnë moshën e pensionit 13,3 milionë vetë.

“Për ta kompensuar këtë, nevojitet një ofertë në rritje për fuqi punëtore në Gjermani. Unë do të preferoja një migrim neto prej 500.000 vetësh në vit. Për momentin, shifra është midis 235.000 dhe 250.000.” – thotë eksperti i ekonomisë Herbert Brücker.

Ekziston gjithashtu çështja se si të sigurohet vazhdimësia e ardhjes së emigrantëve, ndërkohë që studimet paralajmërojnë se politikat më të rrepta të migracionit i dekurajojnë punëtorët e huaj.

“Sipas vlerësimit tim të bazuar në fakte, ne do t’i ndryshojmë rregullat, sepse jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Kur një e treta e fuqisë suaj punëtore përbëhet nga emigrantë, pa ta nuk mund të vazhdohet.” thotë Herbert Brücker.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.