Conte kërkon rikthimin në pankinë, ka gati planin për një klub të madh
Antonio Conte ka folur për të ardhmen e tij në një intervistë për The Athletic, duke lënë të kuptohet se dëshiron të marrë drejtimin e një klubi me histori të madhe dhe me ambicie të forta.
“Ka shumë klube që kanë humbur disi lidhjen me historinë e tyre. Do të më pëlqente të shkoja në një prej këtyre skuadrave, për ta rikthyer në vëmendje atë të kaluar dhe për ta bërë sërish të shkëlqejë. Klube ku ndjen presionin, ku e di shumë mirë se nuk shkon vetëm për të marrë pjesë, por për të konkurruar”, u shpreh Conte.
Deklaratat e trajnerit italian kanë ngjallur menjëherë spekulime për klubin e tij të ardhshëm. Duke marrë parasysh të kaluarën e tij me Juventusin, emri i bardhezinjve është përmendur menjëherë si një destinacion i mundshëm.
Megjithatë, sipas raportimeve që vijnë nga Anglia, pas intervistës së Conte-s fshihet një tjetër ide: Manchester United.
Trajneri italian ka një të kaluar në Premier League, ku ka drejtuar Chelsea-n dhe Tottenham-in, ndërsa një rikthim në futbollin anglez me Manchester United do të përbënte një tjetër sfidë të madhe në karrierën e tij.

