E trishtë, ndahet nga jeta pedagogu dhe studiuesi i njohur shqiptar prej më shumë se 50 vitesh

Është ndarë dje nga jeta Prof. Dr. Agron Lufi (1947–2026), arkitekt, pedagog dhe studiues i njohur, i cili për më shumë se pesë dekada kontribuoi në arsimin, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e arkitekturës e urbanistikës në Shqipëri.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës shprehën dhimbjen për humbjen e Prof. Lufit, duke vlerësuar kontributin e tij në formimin e brezave të arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë dhe në zhvillimin e mendimit bashkëkohor arkitekturor në vend.
Prof. Lufi u diplomua inxhinier ndërtimi në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1969 dhe e nisi karrierën akademike si asistent pedagog në Katedrën e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Gjatë karrierës së tij fitoi titujt kandidat i Shkencave në Arkitekturë, Doktor i Shkencave, Profesor i Asociuar dhe Profesor.
Ai drejtoi Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit gjatë viteve 1992–1997 dhe Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në periudhën 2003–2008, ndërsa ishte gjithashtu përgjegjës i Qendrës së Kërkimit Shkencor pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.
Veprimtaria e tij shkencore u përqendrua në tipologjitë e arkitekturës shqiptare, ndërtesat arsimore dhe publike, teknologjinë e ndërtimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë arkitekturore.
Ai ishte autor e bashkautor i botimeve dhe artikujve shkencorë dhe udhëhoqi shumë tema doktorature dhe diplomash.
Prof. Lufi u formua dhe u kualifikua edhe në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Architectural Association School of Architecture dhe The Bartlett School of Architecture në Londër, si dhe fakultetet e arkitekturës në Firence, Torino dhe Romë.

Ai kontribuoi në modernizimin e arsimit arkitekturor në Shqipëri, duke promovuar edhe konceptet e projektimit bioklimatik, qëndrueshmërisë dhe eficiencës energjetike.
Në fushën profesionale, ai kontribuoi në një sërë studimesh dhe projektesh të rëndësishme urbanistike, mes tyre Plani Rregullues i Zonës Industriale të Tiranës, Studimi Rajonal dhe Mjedisor Farkë–Sauk, Studimi Urbanistik dhe Turistik i Bregut të Liqenit të Shkodrës dhe Plani Rregullues i Qytetit të Tiranës i vitit 2012, si bashkautor.
Studentë, kolegë dhe bashkëpunëtorë do ta kujtojnë për kontributin e tij në arsimin arkitekturor, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të arkitekturës dhe urbanistikës shqiptare.
Homazhet në nderim të Prof. Dr. Agron Lufit do të mbahen sot më 6 tetor 2026, nga ora 09:00 deri në 12:00, pranë Akademisë së Shkencave. Më pas kortezhi do të niset drejt Varrezave të Tufinës.


