Valë protestash në Madrid/ Mijëra njerëz në rrugë pas rrëzimit të dekreteve për strehimin
Britania e Madhe po shqyrton vendosjen e tarifave ndaj importeve të automjeteve elektrike kineze, mes shqetësimeve se prodhuesit nga Kina po përfitojnë nga subvencionet shtetërore dhe po mbushin tregun britanik me makina me çmime konkurruese.
Sipas “The Times”, Sekretari britanik i Biznesit, Jonathan Reynolds, po harton një paketë të mundshme tarifash për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë. Qeveria britanike, megjithatë, ka theksuar se deri tani nuk është marrë asnjë vendim për vendosjen e tarifave.
“Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me industrinë në mënyrë që qasja jonë të pasqyrojë interesat kombëtare të sektorit dhe të Mbretërisë së Bashkuar”, tha një zëdhënës i qeverisë për Reuters.
Sipas “The Times”, ministrat britanikë po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së masave të ngjashme me tarifën prej 45% të Bashkimit Evropian ndaj makinave elektrike kineze. Një hap i tillë synon edhe të mbrojë industrinë britanike nga pasojat e politikave të reja tregtare të BE-së.
Në qendër të debatit është politika “Made in Europe”, e cila synon të reduktojë varësinë e industrisë evropiane nga komponentët kinezë dhe t’u japë përparësi produkteve të prodhuara në Evropë. Kjo ka ngritur shqetësime në Britani se kompanitë britanike mund të përjashtohen nga disa prej zinxhirëve evropianë të furnizimit.
Ministri britanik i Financave, John Healy, i ka kërkuar BE-së që të mos e përjashtojë Mbretërinë e Bashkuar nga këto skema. Gjatë një takimi të ministrave të financave të BE-së në Dublin, ai kërkoi bashkëpunim më të ngushtë me Britaninë në teknologji, mbrojtje dhe prodhim.
Sipas burimeve të Thesarit të cituara nga BBC, Healy kërkon që programi “Made in Europe” të hartohet në mënyrë që të forcojë lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar dhe jo të krijojë barriera të reja tregtare.
Politika “Made in Europe”, e njohur zyrtarisht si Akti i Përshpejtuesit Industrial (IAA), është ende në shqyrtim në BE dhe synon të mbrojë prodhimin evropian duke kufizuar aksesin e mallrave nga vendet e treta.
Ndërkohë, prodhuesit britanikë të automjeteve kanë paralajmëruar për pasojat që mund të ketë një ndarje më e madhe mes tregut britanik dhe atij evropian. Prodhuesi japonez Nissan ka theksuar se prodhimi në Britani dhe BE është “thellësisht i ndërlidhur” dhe se kufizimi i mbështetjes publike vetëm për montimin në BE do të dëmtonte konkurrencën dhe do të prishte zinxhirët e furnizimit.
Debati vjen në një kohë kur Britania po përpiqet të forcojë marrëdhëniet ekonomike me BE-në pas Brexit-it, duke ruajtur njëkohësisht lirinë për të përcaktuar politikën e saj tregtare.
Top Channel