Shqipëria do të zhvillojë sot ndeshjen me San Marinon në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të aktivitetit sportiv, në disa prej rrugëve pranë stadiumit do të ketë kufizime të qarkullimit.
Nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, këto akse do të bllokohen ose do të kenë kufizime:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e fast food “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të përdoret si korridor hyrjeje për parkimin e mjeteve të autorizuara nga FSHF;
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
-Ndërsa te sheshi “Wilson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
-Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të hapura për qarkullimin e mjeteve.
Policia njofton se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme në hyrje të stadiumit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme.
Nuk do të lejohet futja e fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, sendeve të forta apo banderolave me përmbajtje raciste.
Për shkak të fluksit, tifozët këshillohen të paraqiten në hyrjet e stadiumit që prej orës 18:30, në mënyrë që të shmangin radhët dhe vonesat para nisjes së ndeshjes.













