Frikë nga konkurrenca kineze, Britania shqyrton tarifa për automjetet elektrike
Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e vendosjes së tarifave doganore ndaj automjeteve elektrike të importuara nga Kina, mes shqetësimeve se Pekini po përmbyt tregun britanik me automjete të subvencionuara nga shteti.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta britanike The Times, e cila raporton se ministri britanik për Biznesin, Jonathan Reynolds, po përgatit një paketë me masa të mundshme tarifore ndaj importeve të automjeteve elektrike kineze.
Sipas raportimeve, shqetësimi kryesor lidhet me faktin se prodhuesit kinezë mund të jenë duke eksportuar në Britani automjete të mbështetura financiarisht nga shteti, duke krijuar presion të madh mbi prodhuesit vendas.
Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë britanike i tha Reuters se deri tani nuk janë vendosur tarifa ndaj automjeteve elektrike kineze.
“Ne vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë me industrinë, në mënyrë që qasja jonë të pasqyrojë interesat kombëtare të sektorit dhe të Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi zëdhënësi.
Presion edhe nga politika tregtare e BE-së
Sipas The Times, ministrat britanikë po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së tarifave për të kompensuar efektet e tarifave të larta që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj automjeteve elektrike kineze.
Londra shqetësohet gjithashtu se politika e BE-së, e njohur si “Made in Europe”, mund të dëmtojë industrinë britanike të automobilave. Kjo politikë synon të ulë varësinë e Evropës nga komponentët kinezë dhe t’u japë përparësi produkteve të prodhuara në Evropë.
Për industrinë britanike, rreziku lidhet me faktin se shumë kompani kanë zinxhirë furnizimi të lidhur ngushtë me tregun evropian dhe eksportojnë automjete apo komponentë në vendet e BE-së. Qeveria britanike kërkon që kompanitë e vendit të mos përjashtohen nga këto zinxhirë prodhimi.
Londra kërkon marrëdhënie më të ngushta me BE-në
Ministri britanik i Financave, John Healey, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të mos e përjashtojë Britaninë nga nismat për mbrojtjen e industrisë evropiane nga konkurrenca e padrejtë kineze.
Healey ka kërkuar bashkëpunim më të ngushtë mes Britanisë dhe BE-së në sektorët e teknologjisë, mbrojtjes dhe prodhimit, por ka paralajmëruar se rregullat e reja nuk duhet të krijojnë barriera të reja për kompanitë britanike.
Ndërkohë, sipas burimeve të cituara nga BBC, qeveria britanike synon të reduktojë ndikimin ekonomik të Brexit-it dhe të forcojë lidhjet me BE-në, por pa cenuar interesat ekonomike të vendit.
Industria e automjeteve ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat e mundshme. Kompania Nissan ka theksuar se prodhimi në Britani dhe BE është “thellësisht i ndërthurur” dhe se kufizimi i mbështetjes publike vetëm për prodhimin brenda BE-së mund të dëmtojë konkurrueshmërinë dhe zinxhirët e furnizimit, në një kohë kur Evropa po përshpejton kalimin drejt automjeteve elektrike.
Top Channel