Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri–San Marino, e cila zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Për shkak të fluksit të tifozëve, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse pranë stadiumit, ndërsa Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të hapura.
Ndër akset që do të bllokohen janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali” dhe “Abdyl Frashëri”, si dhe disa segmente të tjera në zonën përreth stadiumit. Policia njofton gjithashtu se do të ketë devijime të lëvizjes pranë sheshit “Wilson”, ndërsa hyrja në parkimin e përcaktuar do të lejohet vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja.
Qindra punonjës policie do të angazhohen për sigurinë e aktivitetit, ndërsa tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve para hyrjes në stadium për të parandaluar futjen e fishekzjarrëve, flakadanëve, sendeve të forta dhe objekteve të tjera të rrezikshme. Policia u kërkon tifozëve të paraqiten në hyrje duke nisur nga ora 18:30, pasi fluksi i madh mund të shkaktojë vonesa dhe t’u pamundësojë hyrjen atyre që mbërrijnë pak para fillimit të ndeshjes.