Qeveria britanike po vlerëson mundësinë e vendosjes së tarifave për automjetet elektrike të importuara nga Kina, për shkak të shqetësimeve se prodhuesit kinezë po mbështeten nga subvencionet shtetërore dhe po ofrojnë në tregun britanik makina me çmime konkurruese.
Të lidhura
None found
Sekretari britanik i Biznesit, Jonathan Reynolds, po përgatit një paketë të mundshme masash tarifore për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, raportoi “The Times”. Megjithatë, qeveria ka sqaruar se nuk është marrë ende asnjë vendim për aplikimin e tarifave.
“Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me industrinë në mënyrë që qasja jonë të pasqyrojë interesat kombëtare të sektorit dhe të Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë për Reuters.
Ministrat britanikë po shqyrtojnë gjithashtu një skemë të ngjashme me tarifën 45% që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj makinave elektrike kineze. Sipas “The Times”, kjo masë do të synonte mbrojtjen e industrisë vendase nga ndikimi i politikave të reja tregtare të BE-së.
Një tjetër pikë shqetësimi për Londrën është politika “Made in Europe”, e cila synon të ulë varësinë e industrisë evropiane nga komponentët kinezë dhe të favorizojë mallrat e prodhuara në Evropë. Në Britani druhet se kjo qasje mund t’i lërë kompanitë britanike jashtë disa zinxhirëve evropianë të furnizimit.
Ministri britanik i Financave, John Healy, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e përjashtojë Mbretërinë e Bashkuar nga këto skema. Në takimin e ministrave të financave të BE-së në Dublin, ai kërkoi forcimin e bashkëpunimit me Britaninë në sektorët e teknologjisë, mbrojtjes dhe prodhimit.
Burime të Thesarit, të cituara nga BBC, thanë se Healy dëshiron që programi “Made in Europe” të hartohet për të thelluar lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar dhe jo për të vendosur pengesa të reja tregtare.
Politika “Made in Europe”, e njohur zyrtarisht si Akti i Përshpejtuesit Industrial (IAA), është ende duke u shqyrtuar nga BE-ja. Ajo synon mbrojtjen e prodhimit evropian përmes kufizimit të aksesit të mallrave nga vendet e treta.
Prodhuesit britanikë të automjeteve kanë paralajmëruar ndërkohë se një shkëputje më e madhe mes tregjeve britanik dhe evropian mund të sjellë pasoja të rëndësishme. Nissan, prodhuesi japonez, ka deklaruar se prodhimi në Britani dhe në BE është “thellësisht i ndërlidhur”. Sipas kompanisë, kufizimi i mbështetjes publike vetëm për montimin në BE do të dëmtonte konkurrencën dhe do të çrregullonte zinxhirët e furnizimit.
Ky debat zhvillohet ndërsa Britania përpiqet të rindërtojë marrëdhëniet ekonomike me Bashkimin Evropian pas Brexit-it, duke ruajtur në të njëjtën kohë të drejtën për të përcaktuar në mënyrë të pavarur politikën e saj tregtare.
