Pasuria e Elon Musk-ut ka kaluar sërish shifrën marramendëse të 1 trilion dollarëve, duke arritur dje në rreth 1.040 miliardë dollarë.
Sipas “Bloomberg Billionaires Index”, pasuria e sipërmarrësit u rrit me plot 65 miliardë dollarë brenda një dite.
Kjo u nxit kryesisht nga rritja e vlerës së aksioneve të kompanive ku Musk ka pjesën më të madhe të pasurisë së tij, veçanërisht SpaceX dhe Tesla. Aksionet e SpaceX janë rritur me 13% që nga fillimi i tetorit, ndërsa ato të Tesla-s kanë fituar 6.7%.
Hera e parë pas tre muajsh që pasuria e Musk-ut kalon sërish pragun e 1 trilion dollarëve. Sipërmarrësi u bë personi i parë në botë që arriti këtë nivel në qershor, pas rritjes së fortë të SpaceX, por më pas e humbi përkohësisht këtë rekord për shkak të rënies së aksioneve dhe shqetësimeve të investitorëve për vlerësimin shumë të lartë të kompanisë.
Rritja e fundit tregon rikthimin e optimizmit të investitorëve ndaj SpaceX dhe Tesla-s. Analistët e Morgan Stanley-t e kanë cilësuar SpaceX si një nga mënyrat më të favorshme për investitorët që duan të përfitojnë nga potenciali i sektorëve të hapësirës dhe Inteligjencës Artificiale.
Ndërkohë, Tesla ka raportuar së fundmi shitje tremujore më të larta se pritshmëritë e tregut, duke ndihmuar në rritjen e vlerës së kompanisë.
Sipas Bloomberg-ut, pjesëmarrjet e Musk-ut në SpaceX dhe Tesla përbëjnë më shumë se 98% të pasurisë së tij, duke i bërë performancat e këtyre dy kompanive vendimtare për vlerën e pasurisë së sipërmarrësit.