Ditën e djeshme, u bë me dije arrestimi i Leli Krajës, administratorit të shoqërisë aksionere “ECO-ELB” e cila menaxhon inceneratorin e Elbasanit. Në njoftim thuhet se Kraja ishte arrestuar në flagrancë sapo kishte marrë shumën prej 4 milionë lekësh si ryshfet nga një biznesmen këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji.
Detaje bëjnë me dije se për arrestimin e tij ishin përdorur metoda speciale dhe veprime të simuluara nga ana e agjentëve të BKH. Prokurori i çështjes dhe agjentët e BKH kanë qenë në dijeni të veprimeve për korrupsion pasi për të ishte regjistruar procedim penal më 1 tetor. Pas veprimeve hetimore të simuluara më 5 tetor, u bë i mundur arrestimi i tij në flagrancë.
“Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara", njoftoi SPAK.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a”- thuhet në njoftimin e SPAK.
Kjo kompani që administrohej nga Kraja rezulton të jetë kompani publike në pronësinë e bashkisë Elbasan e cila ka 52% të aksioneve dhe supozohet të trajtojë mbetjet urbane të gjithë qarkut përfshirë dhe inceneratorin që nuk ekziston. Versus.al

