Territorialja/ Çopja: Dëgjesat farsë, u mbushën me administratë, PS votoi pro pavarësisht kundërshtimit

09:45, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje Skype në emisionin e 'KAFE SHQETO' në Syri TV, Kryekëshilltarja bashkiake e opozitës në Bashkinë Elbasan, Bianka Çopja, ka folur për reformën e re territoriale dhe vendimin e Këshillit Bashkiak për bashkimin e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin.

Çopja deklaroi se procesi nuk ka reflektuar zërin e qytetarëve, ndërsa i cilësoi dëgjesat publike si “një farsë”, duke pretenduar se pjesëmarrësit ishin kryesisht administratë dhe punonjës të bashkisë.

Ajo tha se opozita në këshillin bashkiak ka kundërshtuar bashkimin dhe ka mbështetur qëndrimin e qytetarëve që nuk e duan këtë reformë territoriale.

Çopja kritikoi edhe këshilltarët socialistë të Elbasanit për votën pro, duke argumentuar se ata duhej të kishin kundërshtuar ose të paktën abstenuar.

Ajo u shpreh se kundërshtimi ndaj reformës do të vijojë përmes protestave dhe kërkesave drejtuar institucioneve përkatëse.

Pjesë nga intervista:

Në rastin e reformës territoriale, vendimi u mor vetëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, sepse në dëgjesat publike, ishin me të vërtetë një farsë, sepse ishin të mbushura vetëm me administratë dhe punonjës të tjerë që janë të bashkisë, dhe me të vërtetë nuk u dëgjua zëri i qytetarëve.

Prandaj, në mbledhjen e këshillit bashkiak kemi munduar t’iu themi mendimin tonë kundër kësaj reforme territoriale, duke mbështetur zërin qytetar dhe mendimin e tyre të vërtetë, që nuk duan të bashkohet Bashkia e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin.

Besoj që ky është një vendim që duhet ta bënin të gjithë këshilltarët e Partisë Socialiste. Kjo ishte një shenjë e mirë që ndodhi në Bashkinë Cërrik, në të kundërt të asaj që ndodhi në Bashkinë Elbasan, ku të gjithë këshilltarët e Partisë Socialiste votuan pro, edhe pse u mundua në çdo formë t’i bindnin që nuk duhet të ndodhte, por janë me mendimin e tyre politik që çfarë thuhet lart është e prerë dhe duhet zbatuar, dhe vazhduan e votuan pro.

Një bashki si Elbasani, me kaq shumë këshilltarë, duhej të ndërgjegjësoheshin, ose të abstenoheshin minimalisht dhe jo pro.

Normalisht, janë të gatshëm të organizojnë protesta masive me të gjithë qytetarët, do të vazhdojnë të dërgojnë dhe kërkesat e tyre në institucionet përkatëse, të paktën të mundohen të bëjnë të gjitha rrugët e duhura që të mund të bëhet diçka, se sa do të arrijë mbetet për t’u parë.

Por është e vërtetë që të gjithë janë kundër, edhe pse në disa procesverbale është vendosur që disa banorë janë pro, por jashtë kamerave të gjithë janë kundër kësaj reforme territoriale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco