Tetë nxënës janë plagosur pas një përleshjeje në një shkollë të mesme në zonën Başakşehir të Stambollit, ndërsa një nxënëse 15-vjeçare e dyshuar për sulmin u ndalua nga policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:35 në shkollën e mesme Anatoliane Şamil. Sipas autoriteteve lokale, një nxënëse e klasës së 10-të dyshohet se ka sulmuar me thikë disa nxënës të moshave nga 10-13 vjeç.
Të plagosurit janë transportuar me autoambulanca në Spitalin e Başakşehir Çam ku po marrin trajtim mjekësor.
Ministri turk i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, konfirmoi se numri i të plagosurve ka shkuar në tetë.
Sipas tij, një nxënës është në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje të moderuar deri të rëndë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa policia ka shoqëruar të dyshuarën.
Fillimisht, autoritetet lokale raportuan për shtatë nxënës të plagosur, por më vonë, numri u konfirmua në tetë nga Ministria e Shëndetësisë. Hetimet për incidentin janë në vijim.