Koordinatori i mafies shqiptare arratiset nga spitali, doli me qetësi nga dera kryesore

Koordinatori i mafies shqiptare arratiset nga spitali, doli me qetësi nga dera kryesore

10:03, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jipson Penafiel, koordinator i mafies shqiptare, u arratis nga spitali ‘Monte Sinaí’ në Ekuador. Peñafiel u arratis duke dalë në këmbë nga dera kryesore për shkak të pakujdesisë së rojës së tij.

EL COMERCIO

Një tjetër shkelje e protokolleve të sigurisë në sistemin shëndetësor publik ndezi alarmet në veriperëndim të Guajakilit. Mesditën e të dielës, 4 tetor 2026, një i burgosur i profilit të lartë, i lidhur me mafien shqiptare, i shpëtoi masave të sigurisë dhe u largua në këmbë nga ambientet e spitalit ‘Monte Sinai’, i vendosur në distriktin Nueva Prosperina, një prej zonave me nivelet më të larta të dhunës në territorin kombëtar.

I burgosuri i arratisur u identifikua si Jipson José Peñafiel Magallanes, 30 vjeç, i cili ndodhej i shtruar në spital që prej 1 tetorit, pasi ishte diagnostikuar me sëmundje cerebrovaskulare.

Rreth orës 12:55, i burgosuri kaloi nga dera kryesore e qendrës shëndetësore pa hasur asnjë pengesë. Sipas raporteve zyrtare, ruajtja e tij nuk ishte në varësi të Policisë Kombëtare, por në varësi të Shërbimit Kombëtar të Kujdesit Gjithëpërfshirës (SNAI), i cili nuk ndodhej në dhomë në momentin e arratisjes dhe nuk dha alarmin përkatës.

Mungesa e të pandehurit u konstatua vetëm disa orë më vonë, kur personeli e infermierëve po kryente një kontroll për dhënien e ilaçeve.

Pas arratisjes, komandanti i Policisë së Zonës 8, Juan Carlos Soria, konfirmoi se efektivi i burgut përgjegjës për ruajtjen e tij tashmë është identifikuar, për të përcaktuar përgjegjësitë administrative dhe penale përballë një dyshimi për bashkëpunim.

Dështimeve të brendshme iu shtua edhe fakti se Qendra e Mbështetjes Policore e vendosur pranë spitalit ‘Monte Sinai’ – e ndërtuar në qershor 2024 për të forcuar sigurinë e perimetrit – qëndronte bosh gjatë mëngjesit të kësaj të hëne, 5 tetor.

Arratisja e Penafiel thellon shqetësimin institucional në këtë spital, ku që nga viti 2024 janë regjistruar të paktën gjashtë arratisje të të burgosurve, mes tyre edhe rasti i Francisco Bermúdez Cagua, me nofkën “Churrón”, i cili u arratis në maj 2024 dhe u riarrestua vetëm në korrik 2026.

Prokuroria e Përgjithshme e Shtetit e konsideron Peñafiel një prej koordinatorëve operacionalë të një rrjeti transnacional të trafikut të drogës, të lidhur me mafien shqiptare dhe grupin kriminal vendas Los Lagartos.

Arrestimi i tij u krye shtatë muaj më parë, më 12 mars 2026, gjatë zhvillimit të operacionit ndërkombëtar “Bremen”, rezultat i 20 muajve hetime të përbashkëta mes Policisë së Ekuadorit, agjencive evropiane të sigurisë dhe Policisë Mbretërore Kanadeze.

Aksioni përfshiu 20 kontrolle dhe bastisje duke çuar në arrestimin e më shumë se 20 personave, sekuestrimin e pesë automjeteve të nivelit të lartë dhe shkaktimin e një dëmi mbi financat e paligjshme prej më shumë se 68 milionë dollarësh.

Hetimet gjyqësore përcaktuan se organizata përdorte kompani fasadë të eksportit të bananeve dhe të transportit të koncentratit të arit për të kontaminuar kontejnerët që niseshin nga terminalet detare.

Ngarkesat, të cilat përmbanin më shumë se dy tonë kokainë, bënin ndalesa në Portin e Montrealit në Kanada, përpara se të shpërndaheshin drejt Holandës dhe Rusisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco