Bota Tech

Inteligjenca Artificiale pas sulmeve ndaj bankave në Korenë e Jugut?

Dyshohet se modelet e Inteligjencës Artificiale janë përdorur në disa prej sulmeve të fundit kibernetike ndaj bankave në Korenë e Jugut, duke ngritur shqetësime të reja për rreziqet që teknologjia mund të sjellë për sistemin financiar.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, tha se në disa prej incidenteve janë identifikuar shenja që tregojnë përdorimin e IA-së. Nga autoritetet kërkoi që të përcaktojnë sa më shpejt mënyrën si janë kryer sulmet dhe të përqendrojnë burimet në kufizimin e dëmeve.

Sipas Reuters-it, policia koreano-jugore ka nisur një hetim në shkallë të gjerë për sulmet ndaj bankave tregtare, që çuan edhe në cenimin e të dhënave personale të klientëve. Ndër institucionet që kanë raportuar incidente janë Shinhan Bank dhe KB Kookmin Bank, ndërsa sulme janë raportuar edhe ndaj Hana Bank dhe Woori Bank.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se ç’lloj mjetesh të Inteligjencës Artificiale janë përdorur dhe as përmasën e plotë të sulmeve.

Rasti po tërheq vëmendje edhe për shkak të debatit më të gjerë mbi mënyrën se si IA mund të ndryshojë natyrën e sulmeve kibernetike.