Bota

OKB: Kriza globale e strehimit prek rreth 3.4 miliardë njerëz!

Kriza globale e strehimit është në fokus të Kombeve të Bashkuara, me përfaqësues të qeverive, shoqërisë civile dhe botës akademike që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme përballë një situate që prek rreth 3.4 miliardë njerëz në botë.

Në takimin e zhvilluar në Oman, në kuadër të Ditës Botërore të Habitatit, drejtuesit e OKB-së theksuan se “strehimi i përshtatshëm nuk duhet të konsiderohet luks, por një e drejtë themelore dhe kusht për një jetë dinjitoze”.

Strehimi të trajtohet si prioritet publik, në të njëjtin nivel me tokën dhe shërbimet bazë. Duhet bashkëpunim më i madh mes autoriteteve publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile.

Në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve, shefi i OKB-së, António Guterres, tha se mbi 3 miliardë njerëz në botë vazhdojnë të jenë të privuar nga kjo e drejtë universale.

Mbi 1 miliard persona jetojnë në vendbanime informale dhe lagje të varfra, ndërsa shumë të tjerë janë të pastrehë ose janë zhvendosur për shkak të konflikteve, fatkeqësive natyrore e ndryshimeve klimatike.

Sipas OKB-së, një banesë konsiderohet e përshtatshme kur plotëson shtatë kritere, ndër të cilat shërbimet bazë, banueshmëria, përballueshmëria ekonomike, vendndodhja e aksesueshmëria.

Guterres bëri thirrje për rritjen e investimeve në banesa dinjitoze dhe transformimin e vendbanimeve informale, me synim uljen e varfërisë e të pabarazisë, forcimin e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndërtimin e shoqërive më paqësore e gjithëpërfshirëse.