AKTUALITET, 6 October 2026, 10:37

Tabaku: Rama po ia jep Parkun Rinia besnikut të partisë, po i merr Tiranës një nga mushkëritë e fundit

Tabaku: Rama po ia jep Parkun Rinia besnikut të partisë, po i merr

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ndërhyrjen për ndërtim në zonën e kompleksit Taivan, në Parkun Rinia, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po sakrifikon historinë dhe hapësirat publike të Tiranës për interesat e besnikëve të tij.

Në një video të publikuar nga parku, Tabaku u shpreh se kjo hapësirë është konceptuar si park publik që në projektet e para urbanistike të qytetit dhe është trashëguar si e tillë për t’u shërbyer qytetarëve. Sipas saj, ndërtimi i paralajmëruar cenon një pjesë të historisë së kryeqytetit dhe një nga hapësirat e pakta që i kanë mbetur për të marrë frymë.

“Është një copë historie që duhet t’ia hanë dhe t’ia kafshojnë Tiranës, njësoj siç bënë edhe me Teatrin Kombëtar”, deklaroi Tabaku.

Deputetja theksoi se parku ka marrë statusin e zonës së mbrojtur në vitin 2007, ndërsa akuzoi qeverinë se ndërhyrja për ndërtim është njoftuar pa transparencë dhe pa konkurrencë.

“Pa asnjë konkurs, pa asnjë garë, pa asnjë njoftim, pa asnjë procedurë, njoftuan që këtu do të ndërtohej”, u shpreh ajo.

Tabaku e lidhi këtë ndërhyrje me vendimmarrjen e vitit 2009, duke akuzuar Ramën se po favorizon sërish të njëjtin përfitues.

“Mbasi ia dha Besnikut të Partisë në vitin 2009, sot qeveria është duke ia dhënë po të njëjtit besnik partie për ndërtim”, deklaroi deputetja.

Sipas Tabakut, ky rast dëshmon një model qeverisjeje që i shton Tiranës ndërtime, ndërsa lë pa përgjigje nevojat për transport publik, infrastrukturë dhe hapësira për fëmijët. Ajo tha se pikërisht kjo “makutëri” dhe përjashtimi i interesit qytetar nga vendimmarrja janë arsyet që i nxjerrin qytetarët në protestë.

Deputetja e PD-së kërkoi largimin e këtij sistemi, duke theksuar se kryeqyteti duhet t’i rikthehet shumicës së qytetarëve.

“Për këto arsye duhet të largohet ky sistem, për t’i dhënë frymëmarrje Tiranës, për ta kthyer Tiranën në Tiranën e shumicës, jo Tiranën e pakicës”, përfundoi Tabaku.

Reagimi

Ky është Parku Rinia! I ideuar që në fillim, në krijimin e qytetit, për të qenë një park publik, për të qenë një park në shërbim të qytetit e të qytetarëve.

Është një copë historie që duhet t’ia hanë dhe t’ia kafshojnë Tiranës, njësoj siç bënë edhe me Teatrin Kombëtar. Në vitin 2007 ka marrë edhe statusin e zonës së mbrojtur.

Pa asnjë konkurs, pa asnjë garë, pa asnjë njoftim, pa asnjë procedurë, njoftuan që këtu do të ndërtohej. Do të ndërtohej duke e prishur këtë copë historie. Do të ndërtohej në një qytet të mbingarkuar me ndërtime, një qytet që sot, fatkeqësisht, po njihet si qyteti i pastrimit të parave. Nga një park, për ta kthyer në një zonë të ndërtuar.

Kjo është edhe arsyeja pse po protestojnë qytetarët sot. Po protestojnë pikërisht për këtë makutëri, ku asnjëherë, asnjë vendim nuk merret në shërbim të tyre. Asnjëherë nuk diskutohet se si mund t’i shtojmë një rrugë apo një transport publik Tiranës; diskutohet gjithmonë se si t’i shtojmë një ndërtim tjetër.

Pasi ia dha Besnikut të Partisë në vitin 2009, sot qeveria është duke ia dhënë po të njëjtit besnik partie për ndërtim, duke i hequr e fshirë, me një të rënë të lapsit, historinë e qytetit, vendin ku shumë fëmijë luajnë, por duke i marrë edhe një nga mushkëritë e pakta që i kanë mbetur sot Tiranës.

Për këto arsye duhet të prishet ky sistem. Për këto arsye duhet të largohet ky sistem, për t’i dhënë frymëmarrje Tiranës, për të dhënë mundësi që ta kthejmë Tiranën në Tiranën e shumicës, jo Tiranën e pakicës.