Grabitje spektakolare në Siçili, hajdutët me ekskavator “shkulin” dy bankomate nga vendi, filmohet skena (VIDEO)

Një grabitje spektakolare ka ndodhur në qytetin Sortino të Siçilisë, ku një grup prej rreth 12 personash përdori një ekskavator të vjedhur për të shkulur dy bankomate. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit të së shtunës, kur autorët bllokuan një rrugë në qendër të qytetit me tre makina dhe një kamion.
VIDEO- Grabitje me ekskavator në Siçili
Grabitësit shënjestruan dy ATM të vendosura pranë njëri-tjetrit, një të Monte dei Paschi di Siena dhe një të Banca Agricola Popolare di Ragusa. Me ndihmën e ekskavatorit, ata arritën t’i shkëpusnin bankomatet dhe të largoheshin nga vendi i ngjarjes përpara mbërritjes së policisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinë.
Momenti i grabitjes është filmuar nga një person nga ballkoni i banesës së tij. Në pamje shihen të paktën gjashtë persona duke punuar për të hequr një nga bankomatet, ndërsa një prej rrugëve që çonte drejt bankës ishte bllokuar me tavolina, në mënyrë që të pengohej ndërhyrja e të tjerëve.
Policia italiane ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë së bankave dhe zonës përreth. Sortino nuk është hera e parë që përballet me tentativa të tilla, pasi në janar grabitësit kishin tentuar të sulmonin një degë të Monte dei Paschi di Siena duke vendosur një eksploziv pranë hyrjes.
Kryebashkiaku i Sortinos, Vincenzo Parlato, shprehu shqetësimin për ngjarjen dhe pasojat për banorët, të cilët kanë mbetur përkohësisht pa dy ATM. Autoritetet lokale po punojnë për gjetjen e alternativave për të garantuar shërbimet bankare për qytetarët.




