Një 42-vjeçar nga Berati është arrestuar pranë pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, pasi dyshohet se po transportonte një tjetër shtetas shqiptar me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Greqisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kthesa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë ndaluar automjetin që drejtohej nga 42-vjeçari, A.H.
Në makinë ndodhej edhe një tjetër 42-vjeçar, shtetasi D.Rr, banues në Laç, i cili dyshohet se po tentonte të kalonte ilegalisht kufirin. Për të është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 6800 euro, të dyshuara se janë përfituar nga transporti i kundërligjshëm i personave, si dhe tre telefona celularë dhe automjeti i përdorur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.













