E martë, 6 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Vdekja e shqiptarit në Torino, arrestohen bashkëshortja dhe i dashuri i saj

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku në Torino të Italisë. Në pranga kanë përfunduar bashkëshortja e tij, 45 vjeçe, dhe partneri i saj i ri, 52 vjeç, të cilët dyshohen për përfshirje në vdekjen e shqiptarit.

Ndaj dy të arrestuarve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Reklamë

Mikel Rroku u gjet i pajetë më 6 korrik në banesën e tij në rrugën “Verolegno”, në zonën Lucento të Torinos. Trupi u gjet disa ditë më vonë, në gjendje të avancuar dekompozimi, ndërsa në kokë kishte dëmtime të rënda.

Ishin fqinjët ata që sinjalizuan autoritetet, pasi kishin konstatuar një erë të rëndë që vinte nga apartamenti. Pas ndërhyrjes, hetuesit nisën ekzaminimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.

Dëmtimet në kokën e 55-vjeçarit ngritën dyshimet se bëhej fjalë për një vdekje të dhunshme. Në vijim, hetimi u përqendrua te bashkëshortja e Rrokut dhe 52-vjeçari, me të cilin ajo dyshohet se kishte një lidhje.

Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit të së martës nga karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos.

Tashmë hetuesit po përpiqen të rindërtojnë minutat e fundit të jetës së shqiptarit dhe të zbardhin se çfarë ka ndodhur brenda banesës. Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me motivin dhe rolin që dyshohet se ka pasur secili prej dy të arrestuarve.

Autoritetet italiane nuk kanë bërë ende publike të gjitha detajet e dosjes.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.