Shqipëria kërkon rikthimin te fitorja, përballet sot me San Marinon në “Air Albania”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.10.2026, 11:40

Shqipëria rikthehet këtë të martë në fushë, me synimin për të lënë pas humbjen ndaj Finlandës dhe për t’u rikthyer te fitorja në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të përballen me San Marinon në stadiumin “Air Albania”, në një sfidë që nis në orën 20:45.

Pas tri ndeshjeve të para, Kombëtarja shqiptare ka grumbulluar 6 pikë, falë dy fitoreve dhe një humbjeje. Shqipëria renditet në vendin e dytë të grupit, vetëm një pikë pas Finlandës kryesuese, ndaj fitorja ndaj San Marinos është e domosdoshme për të vijuar garën për kreun.

Përveç tri pikëve, edhe diferenca e golave mund të marrë rëndësi në llogaritë e grupit, ndaj kuqezinjtë pritet të kërkojnë një rezultat sa më të thellë.

Në krahun tjetër, San Marino vjen në Tiranë me tri humbje në tri ndeshje dhe ende pa shënuar gol. Përfaqësuesja e vogël nuk ka fituar në 17 ndeshjet e fundit ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës ka regjistruar vetëm një barazim dhe 16 humbje, me 6 gola të shënuar dhe 63 të pësuar.

Edhe historia e përballjeve direkte është tërësisht në favor të Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë fituar të pesë ndeshjet e luajtura ndaj San Marinos, pa pësuar asnjë gol. Në përballjen e fundit, të zhvilluar në shtator, Shqipëria triumfoi me rezultatin 3-0.

Tashmë, kuqezinjtë kërkojnë një tjetër fitore në “Air Albania”, për të mbajtur presionin mbi Finlandën dhe për të vijuar betejën për vendin e parë në grup.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit