Pikërisht një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në gjykatën e Tiranës, prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim autorin Elvis Shkambin, xhaxhain e tij Gjon Shkambi dhe punonjësin e sigurisë, Banush Koxha.
Elvis Shkambi akuzohet për veprat penale: ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.
Xhaxhai i tij, Gjon Shkambi akuzohet për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’, ndërsa roja Banush Koxha për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin dhe jo vetëm, ndodhi më 6 tetor të vitit 2025 kur rreth orës 15:38 brenda sallës ku po zhvillohej gjyqi me palë paditëse familjen Kurtaj. Pasi gjyqtari i ndjerë dha vendimin që rrëzoi pretendimet e familjes Shkambi, autori 31 vjeçar nxorri armën dhe qëlloi drejt tij duke e lënë të vdekur. Të plagosur mbetën edhe babë e bir R.K dhe E.K të palës paditëse.
Pasi kreu krimin, autori doli në oborrin e gjykatës ku priti qetësisht oficerët e policisë të cilët i vendosën prangat. Shkambi deklaroi se armën e kishte patur edhe në senacat e tjera gjyqësore dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Ndërsa punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk kontrolloi dy të pandehurit e tjerë në momentin kur ata u futën në gjykatë. Versus.al

