Prokuroria e Tiranës, ka mbyllur hetimet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke i kaluar për gjykim tre persona. Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, akuzohen për veprat penale që lidhen me ngjarjen, ndërsa punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Apelit, B.K., do të përballet me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Elvis Shkambi akuzohet për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Të lidhura
None found
Gjon Shkambi, është dërguar në gjyq për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa B.K. për “Shpërdorim detyre”.
Hetimi për procedimin penal nr. 7416 të vitit 2025 nisi më 06.10.2025, pasi rreth orës 15.38 në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u raportua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.
Veprimet e para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe administrimin e pamjeve filmike, zbuluan se gjyqtari A.K. u qëllua gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore. Seanca kishte për objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, ndërsa paditëse ishte R.K.; si palë të treta në proces ishin Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi.
Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij. Më pas, ai e drejtoi armën edhe ndaj R.K. dhe E.K., të cilët po përpiqeshin të largoheshin nga salla. Si pasojë, E.K. u plagos në dorën e djathtë, ndërsa R.K. pësoi dëmtime në trup.
Pas të shtënave, Elvis Shkambi, ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe doli në oborrin e institucionit, ku u arrestua në flagrancë.
Sipas Prokurorisë, provat e mbledhura gjatë hetimit tregojnë se Elvis Shkambi e ka kryer veprën në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Vetë E.Sh. ka deklaruar se e kishte mbajtur armën edhe gjatë seancave të tjera dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni të këtij fakti. Nga hetimi rezultoi gjithashtu se mes tyre dhe familjes së E.K. kishte një konflikt të vazhdueshëm për pronësinë.
Prokuroria vlerëson se B.K. ka përmbushur të gjithë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet treguan se E.Sh. dhe Gj.Sh. kishin hyrë në gjykatë pa iu nënshtruar kontrollit, ndërsa njëri prej tyre kishte me vete armë zjarri, të cilën e përdori brenda sallës.
Ngjarja solli vdekjen e gjyqtarit A.K. dhe plagosjen e dy personave, duke cenuar në mënyrë konkrete, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë interesin juridik që synonin të mbronin rregullat e sigurisë.
Sipas organit të akuzës, B.K. qëndroi i ulur dhe nuk ndërmori asnjë veprim për kontrollin fizik të dy personave. Në të njëjtën kohë, ai nuk bëri as regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve, fakt që konfirmohet nga këqyrja e regjistrit.
Për Elvis Shkambin, akuzat mbështeten në nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal, ndërsa për Gjon Shkambin dhe B.K. në nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.
