Pëlqimi për Presidentin amerikan Donald Trump ka qenë në nivele rekord të ulëta ditët e fundit, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos.
Sondazhi gjashtë-ditor tregoi se 32% e amerikanëve e miratonin presidencën e Trumpit, shifër e pandryshuar krahasuar me një sondazh të shtatorit nga Reuters/Ipsos, i cili e kishte regjistruar pëlqimin për liderin në nivelin më të ulët të karrierës së tij politike.
Votuesit hispanikë ndihmuan në fitoren e Trumpit në garën presidenciale të vitit 2024. Megjithatë tashmë vetëm 24% e amerikanëve me origjinë hispanike e miratojnë punën e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë; kjo është përqindja më e ulët e regjistruar gjatë dy mandateve presidenciale të tij.
Sondazhi dha shenja të shumta se popullariteti i ulët i Trumpit po ndikon negativisht te Partia Republikane; votuesit e regjistruar preferonin demokratët përballë republikanëve në një raport prej 44% me 37%, më pak se një muaj para zgjedhjeve të mesmandatit.
Mes votuesve të pavarur, demokratët kryesonin me 37% kundrejt 21%, ndërsa 28% ishin ende të pavendosur.
Vetëm 26% e votuesve hispanikë të regjistruar planifikojnë të votojnë për republikanët në këtë garë, e cila do të përcaktojë se kush do të ketë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit gjatë dy viteve të fundit të mandatit aktual të Trump.
Rreth 52% e votuesve hispanikë planifikojnë të votojnë për demokratët – shifër kjo pothuajse dyfishi i mbështetjes për republikanët dhe avantazhi më i madh demokrat që kur Trump mori detyrën.
Sipas sondazhit të Reuters/Ipsos, kostoja e jetesës është çështja kryesore që shqetëson amerikanët ndërsa vendosin se si do të votojnë muajin e ardhshëm. Inflacioni i konsumit ka pësuar rritje të menjëhershme pas shtrenjtimit të benzinës dhe naftës, të shkaktuar nga lufta me Iranin.
Lini një Përgjigje