Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha, dhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu, konferencë me gazetarët

Gjekmarkaj në Zagreb: Zgjedhjet e kontestuara dhe drejtësia po cenojnë rrugën europiane të Shqipërisë

Gjekmarkaj në Zagreb: Zgjedhjet e kontestuara dhe drejtësia po cenojnë rrugën europiane të Shqipërisë

12:27, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, në një postim në rrjete sociale ka bërë të ditur takimin me nënkryetarin e Parlamentit të Kroacisë, akademikun Željko Reiner, në Zagreb, ku ka ngritur shqetësimet e opozitës për zhvillimet politike në Shqipëri.

Gjekmarkaj shkruan se gjatë takimit ka folur për zgjedhjet e 11 majit, të cilat i konsideron të kontestuara edhe në raportin e OSBE/ODIHR, si dhe për klimën e protestave dhe pakënaqësisë në vend.

Ai akuzon mazhorancën se po e përjashton opozitën nga jeta institucionale dhe nga reforma të rëndësishme, veçanërisht reforma zgjedhore dhe territoriale.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte drejtësia, për të cilën Gjekmarkaj shprehet se pengimi i saj përbën shqetësim për rrugën europiane të Shqipërisë.

Në takim, nënkryetari demokrat tha se përcolli edhe përshëndetjet e Sali Berishës për kryeministrin kroat Andrej Plenković, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Kroacisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe Kosovën.

Gjekmarkaj u ndal gjithashtu te lidhjet historike e kulturore shqiptaro-kroate dhe në përfundim ftoi akademikun Reiner për një vizitë në Shqipëri.

Postimi i plotë:

Takim me nënkryetarin e Parlamentit të Kroacisë, akademikun Željko Reiner

Pata kënaqësinë të pritem në një takim të përzemërt në Parlamentin e Kroacisë nga z. Željko Reiner, nënkryetar i Parlamentit kroat, akademik dhe shkencëtar me famë ndërkombëtare në fushën e kardiologjisë.

Në këtë takim, i shpreha ndjenjat e miqësisë dhe mirënjohjes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, si dhe Kosovës gjatë këtyre dekadave kaq domethënëse për historinë tonë kombëtare. Në veçanti, vlerësova qëndrimin e Kroacisë ndaj komandantëve të UÇK-së në Hagë.

Në emër të liderit të opozitës, z. Sali Berisha, i përcolla përshëndetjet për kryeministrin kroat Andrej Plenković, kryetar i një partie të qendrës së djathtë dhe aleate në PPE.
Gjatë bisedës shpreha shqetësimet për zgjedhjet e kontestuara edhe nga OSBE/ODIHR, të cilat po shndërrohen në farsa elektorale të vazhdueshme. Në vend ka një klimë të vazhdueshme protestash dhe pakënaqësie, ndërsa opozita përjashtohet nga jeta institucionale dhe nga reformat jetike për vendin, si reforma territoriale dhe ajo zgjedhore. Po ashtu, shpreha shqetësimin për pengimin e drejtësisë. Të gjitha këto, në vlerësimin tim, cenojnë në thelb rrugën europiane të shqiptarëve.

Biseda u ndal edhe te lidhjet e hershme shqiptaro-kroate në kulturë, arsim dhe mendim: te tradita e shkollave françeskane të Livnos, ku u formuan dhe u ndikuan breza të françeskanëve shqiptarë, ndër ta At Gjergj Fishta dhe At Shtjefën Gjeçovi, në një mjedis ku ishte i pranishëm edhe ndikimi i françeskanit dhe shkrimtarit Grga Martić; te tradita e albanologjisë kroate dhe kontributi i Milan Šufflay-t, si dhe te roli i Universitetit të Zagrebit në formimin e intelektualëve dhe elitave shqiptare të Kosovës. Folëm gjithashtu për arbëreshët e hershëm dhe praninë shqiptare në Kroaci, si dhe për diasporën me të vonshme , e cila me patriotizëm mori pjesë edhe në Luftën për Pavarësinë e Kroacisë. Këto lidhje dëshmojnë një histori të pasur afrimiteti kulturor, njerëzor dhe intelektual mes nesh.

Në përfundim, e ftova mikun e shquar, z. Reiner, për një vizitë në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco