Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Prokuroria mbyll hetimet dhe çon në gjyq Elvis Shkambin, xhaxhain e tij dhe rojen e Gjykatës

Shkruar nga Newsbomb
Një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Prokuroria mbyll hetimet dhe
Gjyqtari i vrarë, Astrit Kalaja

Këtë të martë bëhet një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje më 6 tetor 2025, brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë. Një vit pas ngjarjes së rëndë, Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim.

Elvis Shkambi, i dyshuar si autori i ngjarjes së rëndë që i morën jetën gjyqtarit brenda sallës së gjyqit, është marrë i pandehur për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Për gjykim është dërguar edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”. Në dosjen e dërguar për gjykim është edhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj, i akuzuar nga Prokuroria për “Shpërdorim detyre”. Ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës dhe nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhi më 6 tetor 2025, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila trondit mbarë opinionin publik.

Elvis Shkambi në momentin që ka qëlluar për vdekje gjyqtarin ka plagosur edhe Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir. Organi i akuzës dyshon se Gjon Shkambi kishte dijeni planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Prokuroria thekson se ka dyshime që Shkambi ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin E.Sh., për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.

Po kështu, në gjyq u dërguan dhe shtetasit Gj.Sh., për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.7416, viti 2025 më datë 06.10.2025, nisën pasi rreth orës 15.38, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari A.K., u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt "Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore", me palë paditëse R.K. ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gj.Sh. dhe nipi i tij E.Sh.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., i pandehuri E.Sh., nxorri nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E. K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R. K. në trup.

Menjëherë pas këtij veprimi, i pandehuri E.Sh., ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë.

Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri E.Sh., e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gj.Sh. dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi E.Sh deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K., ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.

Për sa i përket të pandehurit B.K., rezulton se ai ka konsumuar në të gjitha elementet e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar, dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës ku për pasojë gjyqtari A.K. humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në  këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.

Shtetasi B.K., qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese