AKTUALITET /

"Servil i Ramës!", u sulmua me vezë nga protestuesit, Bledi Mane: U përballa pa frikë, janë paguar nga Qori e Shehaj

Shkruar nga Versus

"Servil i Ramës!", u sulmua me vezë nga protestuesit, Bledi

Gazetari Bledi Mane ka bërë një reagim publik pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme ku teksa po kalonte pranë rrugës "Abdi Toptani", u sulmua nga një grup protestuesish të cilët e qëlluan me vezë dhe e akuzuan për 'servilizëm' ndaj Ramës.

Mane shkruan se kjo është hera e parë që një gazetar sulmohet dhe kërcënohet publikisht përse shpreh mendimet e tij. Ndërsa rrëfeu sesi ndodhi e gjithë ngjarja dhe përballja me protestuesit, gazetari akuzon Agron Shehajn dhe Arlind Qorin si 'financues' të protestuesve. 

DEKLARATË PUBLIKE

Dje në datë 5 tetor 2026 rreth orës 16:00 duke ecur qetësisht në rrugën "Abdi Toptani" jam ndjekur nga një grup rreth 30 personash të ashtëquajtur "protestues të revolucionit flamingo" të cilët si fillim më kanë goditur me një vezë dhe një gur të vogël në pjesën e pasme të kokës. U detyrova të ndaloj e ti pyes "çfarë kishin me mua personalisht" por turma e agravuar filloi në kor të shante, të fyente e të kërcënonte në mënyrë të organizuar dhe histerike. U përballa me ta në çdo sekondë pa pasur frikë e pa ikur me vrap siç bën ndonjë politikan kur e sulmojnë pasi mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë vrasjeje apo korrupsioni. Turma prej 30 personash mes të cilëve edhe minorenë, mes sharjeve dhe kercenimeve me orientonte se si duhet te bëj gazetari dhe çfarë duhet të shkruaj e si duhet të flas në televizor.
Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një gazetar rrethohet, kërcënohet dhe linçohet publikisht me arsyen e vetme pse kryen detyrën dhe pse shkruan e pse shpreh publikisht në mediumet kombëtare apo rrjetet sociale mendimet e tij. Natyrisht që asnjë individ e asnjë turmë sado e paguar nuk i ndalon dot kurrë gazetarët në misionin e tyre por po i bëj thirrje publike arlindqorrëve dhe goneshehajve të politikës të ndalojnë së paguari cilindo gangëster rruge pasi me vezët që ata godasin nuk do marrin kurrë pushtetin e ëndërruar.
Falënderoj organizatat e gazetarëve, mediat e ndryshe, kolegët, miqtë e shumtë, policinë e shtetit dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri që mu gjendën pranë dhe treguan solidaritet njerëzor. Njëkohëshit u jap kurajo gjithë gazetarëve e u them të vazhdojnë punën e tyre sepse pavarësisht decibelit të lartë të klithmave të mos tremben në punën e tyre nga asnjë individ apo turmë e dëshpëruar dhe e paguar provizorisht!
Bledi Mane
Gazetar
Tiranë më 6 tetor 2026. Versus.al

Tags:

bledi mane

Poll