Sport

FIFA, telashe të reja për Infantinon/ Republika Demokratike e Kongos, në Botëror me një portier që nuk i lejohej të luante

Bota e futbollit vazhdon të tronditet dhe ndaj FIFA po ngrihen akuza njëra pas tjetrës nga sektorë të ndryshëm. E fundit në listë ka të bëjë me portierin e Republikës Demokratike të Kongos, Lionel Mpasi që e kishte të ndaluar të luante në Botërorin e kësaj vere, diçka të cilën qeveria e futbollit botëror e shpërfilli.

Dhe në fakt portieri u aktivizua në turne dhe kjo shkaktoi indinjatë te Nigeria, kombëtarja që mbeti jashtë botërorit  në kualifikueset e kompeticionit në zonën afrikane pikërisht nga Republika Demokratike e Kongos. Sipas të përditshmeve New York Times dhe Le Monde që siguruan dokumentacionin, funksionarët e FIFA-s kishin konstatuar se Mpasi nuk kishte dokumentet e nevojshme për t’u aktivizuar në kompeticionin madhor të futbollit. Në prag të Botërorit, zyrtarët ligjorë të qeverisë së futbollit botëror kishin pranuar në mënyrë private se Republika Demokratike e Kongos po aktivizonte një futbollist që nuk mund të merrte pjesë në turne…

Kongos i duhej edhe një ndeshje më shumë për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës, ajo e playoffit me Xhamajkën. FIFA lejoi si futbollistin ashtu edhe skuadrën që të vijonin me Republikën Demokratike të Kongos që arriti të mposhtë Xhamajkën dhe të sigurojë një vend në turne.

Hetimi i FIFA ndaj skuadrës së Kongos nisi pas një ankese të bërë nga Nigeria në lidhje me këtë çështje, skuadra që kishte humbur betejën me RD të Kongos përpara se kjo skuadër të arrinte në fazën e playoffit  ndaj Xhamajkës. Teksa hetonte, FIFA zbuloi se RD e Kongos nuk e kishte plotësuar kurrë dokumentacionin e ndryshimit të përfaqësueses së Mpasi që do të lejonte portierin për të luajtur me futbollistin që më parë ishte aktivizuar me ekipet e moshave të kombëtares franceze. Por pavarësisht kësaj, gjithçka u anashkalua dhe Mpasi u lejua të luajë në Botëror në radhët e Kombëtares së Kongos.