Investigimi, si furnizohet Rusia me karburant nga Koreja e Jugut

Nga A2 CNN
6 Tetor 2026, 13:15 | Bota

Investigimi, si furnizohet Rusia me karburant nga Koreja e Jugut

Mbi 176 mijë tonë karburant, kryesisht naftë, janë transportuar nga portet e Koresë së Jugut drejt Rusisë gjatë muajve korrik dhe gusht, përfshirë edhe disa ngarkesa të transportuara me anije nën sanksione britanike dhe europiane.

Sipas “The Guardian”, bazuar në të dhënat e porteve dhe gjurmimit të anijeve, karburanti u ngarkua në disa porte të Koresë së Jugut dhe u transportua me shtatë cisterna, të cilat kryen gjithsej 14 udhëtime drejt porteve të Lindjes së Largët të Rusisë.

Tre prej anijeve ishin nën sanksione të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, përcjell A2 CNN. Njëra prej tyre, anija “Chongchon”, nuk u ankorua në port, por mori rreth 26 mijë tonë karburant përmes një transferimi nga anija në anije, në ujërat e Koresë së Jugut. Kjo metodë mund të përdoret për të fshehur origjinën e ngarkesës dhe për të shmangur kontrollet portuale.

“Është tronditëse që cisterna të sanksionuara nga BE-ja ngarkuan karburant në portet e Koresë së Jugut dhe e transportuan atë në Rusi”, tha Isaac Levi, analist në Qendrën për Kërkimin mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA).

Investigimi, si furnizohet Rusia me karburant nga Koreja e Jugut

Sipas të dhënave të Kpler, blerësit përfshinin Rosneft, kompaninë shtetërore ruse të naftës, e cila është nën sanksione të Britanisë, SHBA-së, BE-së dhe Australisë, si dhe grupin rus NNK.

Importet ruse të produkteve të naftës përmes detit arritën në 368 mijë tonë në gusht, më shumë se shtatë herë më tepër se niveli i muajit paraardhës. Kjo është gjithashtu shifra më e lartë mujore që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës. Koreja e Jugut furnizoi rreth 112 mijë tonë, ose 31% të totalit.

Rritja e eksporteve koreano-jugore vjen në një kohë kur kapaciteti rus i rafinimit është goditur rëndë nga sulmet me dronë ukrainas. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, prodhimi rus i naftës së rafinuar është rreth 30% më i ulët se një vit më parë.

Qeveria e Seulit tha se po zbaton në mënyrë strikte kontrollet e eksporteve ndaj Rusisë, ndërsa theksoi se mbështet përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos