Blushi, Manjës dhe Gogut: Zgjidhni konfliktin GJKKO-Avokati, ose pranoni që konflikti është stisur nga Rama

Blushi, Manjës dhe Gogut: Zgjidhni konfliktin GJKKO-Avokati, ose pranoni që konflikti është stisur nga Rama

13:17, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë ka debatuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve me kreun e këtij komisioni Ulsi Manja dhe me ministrin e drejtësisë Toni Gogu.

Gjatë debatit me deputetin e PS, Blushi i është drejtuar Gogut që ti ‘jepej fund persekucionit politik, kushteve çnjerëzore të trajtimit dhe shkeljes së të drejtave të Ilir Metës nga IEVP "Jordan Misja"’

Z. Ministër, unë kam dy pyetje.

Së pari, jam i paqartë për përgjigjen që dhatë mbi faktin që Ministria e Drejtësisë po qëndron indiferente ndaj një konflikti mes GJKKO-së të shkallës së parë dhe Dhomës së Avokatisë.

Një konflikt, në vlerësimin tim, sa absurd aq edhe i qëllimshëm.

Çka po cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin e rregullt ligjor penal.

Dhe pyetja ime është e drejtpërdrejtë:

Ju prisni ftesën nga dy aktorë të sistemit të Drejtësisë që e kanë dëshmuar që nuk janë gati të ulen për të zgjidhur këtë konflikt mes tyre, apo do të ndërmerrni iniciativë konkrete për t’i dhënë zgjidhje një konflikti, i cili, e theksoj, po cenon parimet jo vetëm të një procesi të rregullt ligjor penal, por po cenon prezumimin e pafajësisë, po rëndon dhe po sjell kosto shumë të rënda për sa i përket privimit të lirisë për shumë të pandehur dhe, mbi të gjitha, po zgjat në mënyrë të paarsyeshme afatet e paraburgimit.

Sepse, siç jeni në dijeni, anulimi i shumë seancave gjyqësore jo vetëm ka çuar në pezullimin e afateve të paraburgimit, por sidomos ka sjellë dhe ka prodhuar kosto të pamerituara për taksapaguesit shqiptarë, të cilët paguajnë për transferimin e të paraburgosurve nga rrethet drejt Tiranës, duke sjellë kjo kosto shtesë.

Kam edhe një pyetje dhe për kryetarin e Komisionit të Ligjeve, pra është një pyetje e përbashkët meqenëse jeni dy aktorë në këtë proces.

Dy aktorë, të cilët, për fat të keq, keni vendosur të heshtni dhe të mos reagoni për zgjidhjen e këtij konflikti.

Z. Kryetar, prej datës 24 shtator dhe pak ditë më parë, kam depozituar një tjetër kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, drejtuar Komisioneve përgjegjëse Parlamentare, drejtuar në adresën tuaj, por edhe të Z. Xhafa, për ndërhyrjen e menjëhershme të Kuvendit.

Pra, sot ne kemi 2 aktorë, Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin e Shqipërisë, të cilët, në vlerësimin tim, po heshtin qëllimisht për të nxitur vijimin e një konflikti sa absurd dhe të qëllimshëm, që, në vlerësimin tim, është një konflikt i cili ka vetëm një synim, të pezullojë afatet e paraburgimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.

Dhe pyetja e dytë, Z. Ministër:

Për fat të keq, u bënë gati 2 vite që Ministria e Drejtësisë nuk po reagon me seriozitet ndaj disa rekomandimeve të Avokatit të Popullit kryesisht, por edhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sa i përket mënyrës çnjerëzore, kriminale, politike, një natyre e cila, në fakt, është e qartë se nga buron, por ky përsekucion politik që po ndodh ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, është i pashembullt.

Më vjen keq që institucioni juaj, veçanërisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, jo vetëm që nuk ka asnjë reflektim ndaj rekomandimeve shumë të qarta të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ndaj rekomandimeve të një institucioni kushtetues si Avokati i Popullit, përkundrazi, janë rikthyer praktikat represive, duke ju penguar e drejta deputetëve, mua personalisht, deputetëve të Grupit Parlamentar të PL, deputetëve të tjerë të opozitës, eurodeputetëve të ndryshëm që kanë tentuar të takojnë Z. Meta, kur Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit e ka bërë të qartë se ligji nuk i ndalon deputetët të zhvillojnë takime me persona të paraburgosur dhe, për më tepër, kur unë personalisht kam leje të posaçme nga SPAK për ta takuar dhe përgjigjja që kam marrë nga drejtori i IEVP-së “Jordan Misja” ka qenë që nuk lejohet të takohesh me Z. Meta, sepse kam marrë urdhër nga lart.

Këtë fakt e kam denoncuar në media, e kam vënë në dijeni edhe institucionin kushtetues të Avokatit të Popullit edhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, asnjë reagim.

Për më tepër, mos harrojmë se Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë një rekomandim shumë të qartë sa i përket edhe faktit që Presidentit të Partisë së Lirisë, liderit të forcës së dytë opozitare në vend, i cili sigurisht ka një status tjetër nga të paraburgosurit e tjerë, sepse bëhet fjalë për një lider politik dhe, meqë sot këtu po flasim për Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, dua t’ju kujtoj se kjo Konventë është shkelur nga administrata e burgjeve me të dyja këmbët.

Ka një rekomandim konkret për t’i mundësuar atij edhe të drejtën për të dhënë intervista me gazetarë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka rekomanduar që këto intervista, për shkak të profilit të lartë të Z. Meta, të realizohen nëpërmjet platformës ZOOM.

Kjo e drejtë i është mohuar dhe, pa harruar faktin që ka dhjetëra gazetarë, të cilët kanë marrë leje të posaçme nga SPAK për ta intervistuar Z. Meta dhe përgjigjja e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka qenë negative, duke shkelur ligjin me të dyja këmbët.

Unë refuzoj të diskutojmë sot për respektimin e Konventës, kur kemi një rast konkret se si një lider politik po trajtohet në mënyrë çnjerëzore, kriminale në një institucion, i cili në radhë të parë duhet të jetë shembull i respektimit korrekt të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës.

Keni mbi tavolinën tuaj, sikundër kanë pasur edhe paraardhësit tuaj, 3 rekomandime të qarta, njëra prej të cilave nga një institucion kushtetues si Avokati i Popullit, që ka konstatuar të gjitha sjelljet të cilat ne kemi denoncuar; keni dy rekomandime të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Unë, prej muajit shtator, pa asnjë shkak, e përsëris, vetëm me një urdhër verbal të komunikuar nga drejtori i IEVP “Jordan Misja”, i cili më ka komunikuar faktin dhe urdhrin e paligjshëm që “kam urdhër nga lart” të mos të lejoj të takohesh me Z. Meta, dhe detyrohet tani Z. Meta të privohet nga takimet e tij me familjarë për të takuar drejtuesit politikë.

Pra, po shkelni jo vetëm ligjin, Kushtetutën, por edhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që i garanton Z. Meta të drejtën e organizimit dhe lirive të tij edhe si drejtues politik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco