Fizikani belg Francis Halzen është shpallur fitues i Çmimit Nobel në Fizikë për vitin 2026, për punën e tij novatore në krijimin e një observatori që zbulon disa nga grimcat më të pakapshme të universit, të njohura si neutrino me energji të lartë.
Halzen kuptoi se akulli në Polin e Jugut mund të përdorej për të gjurmuar neutrinot, të quajtura shpesh “grimca fantazmë”, pasi ato mund të kalojnë përmes Tokës dhe trupit të njeriut pa lënë gjurmë dhe ndërveprojnë shumë rrallë me materien.
Puna e tij çoi në krijimin e observatorit IceCube në Antarktidë, një instrument gjigant i vendosur nën akull, i cili regjistron ndërveprimet e neutrinove dhe u jep shkencëtarëve të dhëna të reja mbi origjinën dhe krijimin e tyre.
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vlerësoi se këto grimca shërbejnë si “lajmëtarë nga kozmosi”, duke u dhënë studiuesve mundësinë të studiojnë galaktika të largëta dhe procese të fuqishme, përfshirë shpërthimet e yjeve.
Komiteti Nobel e cilësoi Halzen si drejtuesin e një ekipi ndërkombëtar studiuesish dhe inxhinierësh që krijuan një instrument të ri për astronominë. Sipas tij, vizioni dhe këmbëngulja e fizikantit kanë hapur rrugën për një mënyrë të re të vëzhgimit të universit.
Halzen është fizikani i dytë që shpallet laureat i Nobelit këtë vit, pas çmimit në Mjekësi të dhënë të hënën. Çmimi në Fizikë shoqërohet me 12 milionë korona suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë, ndërsa ceremonia e ndarjes do të zhvillohet më 10 dhjetor në Stokholm.













