Mbappe kritikohet nga shokët e ekipit për sjelljen gjatë dëmtimit
Kylian Mbappe po përballet me kritika të reja brenda Real Madridit, me disa persona në dhomën e zhveshjes dhe brenda klubit që kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si sulmuesi francez po e menaxhon periudhën e dëmtimit.
Sipas “Mundo Deportivo”, në një pjesë të skuadrës ka krijuar shqetësim largimi i Mbappés nga Madridi gjatë kohës që ishte i dëmtuar, por edhe mënyra se si është perceptuar sjellja e tij jashtë fushës.
Raporti thekson se kjo nuk është hera e parë që një situatë e tillë shkakton pakënaqësi në ambientin e Real Madridit. Edhe sezonin e kaluar, sjellja e Mbappés gjatë një periudhe dëmtimi kishte shkaktuar diskutime të ngjashme.
Disa futbollistë thuhet se nuk e kuptojnë përse Mbappé trajtohet ndryshe nga lojtarë të tjerë të dëmtuar. Federico Valverde dhe Ibrahima Konaté, sipas raportimit, kanë qëndruar në Madrid gjatë periudhës së dëmtimeve, ndërsa Mbappé është larguar nga kryeqyteti spanjoll, edhe pse kishte marrë lejen e klubit.
Pikërisht ky ndryshim në trajtim ka krijuar pakënaqësi te disa pjesëtarë të skuadrës, të cilët mendojnë se për Mbappén ekzistojnë rregulla të ndryshme kur bëhet fjalë për menaxhimin e dëmtimeve.
“Mundo Deportivo” raporton gjithashtu se disa sektorë brenda klubit nuk e kanë pritur mirë faktin që Mbappé është parë duke dalë nga një klub nate ndërsa ishte i dëmtuar, si dhe duke bërë xhiro me biçikletë.
Këto veprime kanë ushqyer perceptimin te disa persona në klub se sulmuesi francez po fokusohet gjithnjë e më shumë te vetja dhe më pak te interesat e ekipit.
Pavarësisht kritikave, Real Madridi vazhdon të mbrojë Mbappén, i cili mbetet një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Megjithatë, sipas gazetës spanjolle, brenda klubit po shtohen zërat që e shohin situatën me shqetësim. Disa persona besojnë se mënyra e veprimit të Mbappés po krijon përshtypjen se ai vendos interesat personale përpara atyre të ekipit dhe klubit.

