Sport

UEFA nis hetim për incidentin mes Irlandës dhe Izraelit

UEFA ka nisur hetim disiplinor për incidentin e ndodhur në pushimin e ndeshjes mes Republikës së Irlandës dhe Izraelit, e zhvilluar të dielën në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ndeshja, e cila përfundoi me rezultat 1-1 dhe u zhvillua pa tifozë në Baçka Topola të Serbisë, u shoqërua me tensione mes dy skuadrave.

Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, konfirmoi pas ndeshjes se gjatë përplasjes në pushim kishte pasur një “akuzë për pështyrje”.

UEFA njoftoi të martën se ka vendosur të hapë hetim pas shqyrtimit të raporteve zyrtare.

“Një inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s është caktuar për të zhvilluar hetimin përkatës disiplinor lidhur me keqbërje të mundshme nga lojtarë gjatë ndeshjes së fazës së ligës të UEFA Nations League 2027, mes Republikës së Irlandës dhe Izraelit, të zhvilluar më 4 tetor 2026 në Baçka Topola të Serbisë”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Federata Irlandeze e Futbollit (FAI) ende nuk ka dhënë koment lidhur me rastin.

Ndërkohë, përplasjet vazhduan edhe pas ndeshjes. Tensionet mes dy kombëtareve ishin të dukshme gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa lojtarët u përplasën edhe në përfundim të takimit.

Hallgrimsson deklaroi se kishte përshtypjen se izraelitët po përpiqeshin t’i  frikësonin që nga fillimi.